Zbulohet një altar i kohës romake në Drenicë, gërmimet arkeologjike vazhdojnë
Punimet për pastrimin dhe konservimin e kalasë së Vuçakut kanë filluar në maj, por para pak ditësh është zbuluar një objekt i vjetër romak me gdhendje skulpturale. Ky është viti i katërt që Instituti Arkeologjik i Kosovës po zhvillon gërmime arkeologjike me karakter studimi.
Punimet për pastrimin dhe konservimin e kalasë së Vuçakut, me përkrahjen e MKRS-së dhe menaxhimin e Institutit Arkeologjik të Kosovës kanë filluar në mesin e muajit maj dhe para pak ditësh është zbuluar një objekt i vjetër romak me gdhendje skulpturale apo spolie romake të shek. III e periudhës së viteve 527-565 në kohën e Justinianit.
“Aktiviteti është rifillua dhe është rifillua me një gjetje shumë interesante. Bëhet fjalë për gjetjen e një altari të periudhës klasike romake gjegjësisht është datua nga të dhënat që kemi arrit me i pa, është prodhua si altar në vitin 229 – 230 dhe natyrisht bëhet fjalë për një objekt i cili është prodhua ose duhet të jetë në zonën fushore”, tha arkeologu Shafi Gashi.
Kurse arkeologu Sami Haziraj tha se gjatë pastrimit të murit në pjesën jugore ka hasur në një spolie e cila është e ripërdorur.
“Sipas studiuesve apo epigrafëve që deri me tash janë marr me të, mund të jetë diku e shek. II fillimi i shek. III e cila mund të ketë qenë e vendosur diku më poshtë por mbetet në vazhdim që të bëhen hulumtime dhe gërmime arkeologjike, tha Haziraj.
Ky është viti i katërt që Instituti Arkeologjik i Kosovës në kuadër të MKRS-së është duke zhvilluar gërmime arkeologjike me karakter studimi i cili për shkak të pandemisë ishte ndërprerë në vitin 2019 deri në vitin 2020, mirëpo në atë pjesë deri tani nuk ka pasur ndonjë aktivitet.
Gjithsesi hulumtimet, pastrimi dhe konservimi do të vazhdojnë edhe më tutje, me qëllim studimi dhe turizmi.