Shenjtori Ilir që krijoi perandorinë më të madhe që ka njohur bota
Kostandini i Madh, njihet si një nga perandorët më të mëdhenj që ka njohur bota. Emri i tij, u shenjtërua nga Kisha dhe miliona besimtarë i luten atij. Ai lindi më 27 shkurt të vitit 272. Origjina e tij rridhte nga një familje fisnike ilire në Naissus të Dardanisë. Pas vdekjes së të atit, Flavius Valerius Constantius, Konstandini shpallet August (perandor) nga ushtria, e cila përbëhej kryesisht nga ilirë. Konstandini i Madh ishte perandori i parë i krishterë dhe themeluesi i Kostandinopojës, qytet i cili mori edhe emrin e tij.
Është shpallur shenjt nga Kisha dhe njihet si nga katolikët dhe ortodokët. Kisha e Lindjes e konsideron si shenjtorin më të madh. Gjatë sundimit të tij, mori fund një herë e mirë persekutimi i të krishterëve. E ëma e tij ishte Elena, e cila edhe kjo e fundit u shenjtërua nga Kisha (u konsiderua shenjtore dhe përmendet si pelegrinia e parë në tokën e shenjtë të Jeruzalemit, prej ku dhe pati sjellë në Kostandinopoli Kryqin e Vërtetë). Sipas Kishës, në prag të betejës së Saxa Rubra-s, Kostandinit i shfaqet në qiell forma e një kryqi, dhe në qiell pa të shkruara këto fjalë: “In hoc signo vinces” (“Me këtë shenjë ti do të fitosh”). Kjo ndodhi profetike shënoi fillimin e dilemës së tij për t’u konvertuar në të krishterë. Me politikën e tij ai arriti ta bashkonte një perandori të tronditur, paçka se në të vërtetë hendeku i thellë kulturor mes Lindjes dhe Perëndimit mbeti diçka e pashërueshme.
Konstandini i Madh bëri reforma shumë të rëndësishme administrative: riorganizoi ushtrinë dhe e shpalli veten komandant suprem, plotësoi edhe më ndarjen mes autoriteteve civile dhe atyre ushtarake, ide kjo e filluar nga paraardhësi i tij Diokleciani. Urdhëroi prerjen e monedhave të reja të arit, të cilat mbetën baza e këmbimit deri në rënien e perandorisë bizantine më 1453. Kur Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë.
Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandini i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit. Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Kostandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zëvendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Kostandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake.
Kostandini u vu në krye të një ushtrie dhe marshoi kundër persianëve, por me të arritur pranë Nikomedisë, e kuptoi se çasti i tij i fundit kishte ardhur. Para se të jepte frymën e fundit, ai pranoi të pagëzohej nga peshkopi Euzebio i Nikomedisë. Vdiq në mesditën e 22 majit të vitit 337. Sipas porosisë së tij, funerali ishte madhështor. Sot janë tri kisha që e quajnë Konstandinin të shenjtë: Kisha greke, Kisha ruse dhe Kisha armene. Kostandinin ka qenë i pari perandor i Perandorisë Romake të Lindjes, që, duke ndërtuar një kryeqytet të ri në Bosfor, kryeqytet i cili mori emrin e tij, i dha rrugë krijimit të një perandorie të re që do jetonte shekuj të tërë, deri më 1453.
John Julius Norëich thotë: “Kostandini I, perandori i Romës. Askush nuk e ka merituar titullin “i Madh”, sa ky sovran që brenda pesëmbëdhjetë vitesh mori dy vendime epokale, secila e aftë për të ndryshuar historinë: përshtatja e kristianizmit si fe zyrtare e Perandorisë, dhe transferimi i kryeqytetit të Perandorisë nga Roma në një qytet të ri, ndërtuar mbi themelet e qytetit antik të Bizantit. Aq të rëndësishme qenë rrjedhojat e këtyre dy vendimeve sa Kostandini, -me përjashtim të Krishtit, Budës dhe profetit Muhamed-, mund të pretendojë në mënyrë të ligjshme që të konsiderohet njeriu më me ndikim në tërë historinë.”