DOKUMENTET/ Erion Veliaj i jep miliona “Pastrime Silvio”, Fiqiri Allmuça i preferuari i Bashkisë me 25 tendera të fituar

75 milionë lekë të vjetra do të marrë kompania e Fiqiri Allmuçës, për të luftuar procesin e proesionares në pyjet e Tiranës. Kompania “Pastrime Silvio” duhet të bëjë “luftimin mekanik” të kësaj sëmundje që ka prekur sipërfaqet me pisha, shkruan newsbomb.al.

Fondi limit ka qenë 83 milionë lekë dhe kompania në pronësi de fakto të Fiqiri Allmuçës është shpallur fituese sepse ka ofruar rreth 75 milionë. Konkurrent tjetër në këtë procedurë prokurimi ka qenë dhe “Trade and Construction Group”, e cila ka ofruar 80 milionë lekë për këtë shërbim.

“Pastrime Silvio” nuk është një kompani e panjohur për institucionin e drejtuar nga Erion Veliaj.

Dokumenti i njoftimit te tenderit te fituar nga “Pastrime Silvio”, ne Bashkine e Tiranes

Ajo ka fituar 33 kontrata publike në total me vlerë 279.412.606,40 lekë të reja, ose 2.8 miliardë lekë të vjetra. Nga këto kontrata, kompania e Fiqiri Allmuçës ka fituar 25 vetëm në Bashkinë e Tiranës përgjatë viteve, që kapin vlerën e 234.990.665,00 lekëve të reja.

“Pastrime Silvio” ka për pronare Bule Allmuçën, falë bujarisë së bashkëshortit të saj Fiqiri Allmuça. Gati tre vite më parë kur Fiqiri Allmuça nisi të fitonte shumicën e tenderave në Bashkinë e Tiranës dhe u ekspozua në media, ai ia dhuroi 80% të kuotave të kapitalit gruas.

Në këto kushte, Bule Allmuça u bë pronare e kompanisë “Pastrime Silvio” me 100% të aksioneve, pasi më herët kishte vetëm 20%, shkruan newsbomb.al.

Fiqiri Allmuça i fali aksionet gruas kur u ekspozua ne media

Kompania në fjalë mban rekord në kontratat publike që ka fituar në Tiranë, nga bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj, me 25 të tilla, të cilat janë publikuar dhe në databazën e Open Data Albania. Nga një vështrim i tenderave të fituar nga Fiqiri Allmuça, del se ai ka fituar edhe në vitet e kaluara tenderat për luftimin e sëmundjes së procesionares.

Siç shihet nga fotot e mëposhtme, e çuditshme është se për tre vite me radhë vlera e tenderit të hapur nga Bashkia e Tiranës ka qenë e njëjtë, pra 41 milionë lekë të vjetra për vitin 2020, 2021 dhe 2022. Dhe për shërbimin e procesionare në këto tre vite fitues ka qenë pikërisht “Pastrime Silvio”.

Kompania e Fiqiri Allmuçës ka dhënë vlerën në limit të fondit limit, duke u shpallur rrjedhimisht dhe fituese. Në këto kushte, lind natyrshëm pyetja: Çfarë ka ndryshuar në pyjet me pisha të Tiranës vitin e fundit që vlera e tenderit është dyfishuar????

Open Data Albania i ka kategorizuar pjesën më të madhe të tenderave të fituar nga “Pastrime Silvio” me flamur të kuq, për mungesë konkurrence dhe skualifikim të gjithë operatorëve të tjerë ekonomikë, përveç fituesit.

// NEWSBOMB.AL

Scroll to Top