Më bullizuan në shkollë se isha shqiptar! Më votoni të mbrojmë fëmijët tuaj! Detajet
Klaudio Findiku u largua nga Shqipëria kur ishte vetëm 14 vjeç. Djali që studionte piano në Durrës, iku me familjen në Itali, për një të ardhme më të mirë. Muzikën e la në Shqipëri, ama në Itali iu kushtua shkollës, u bë poet, shkrimtar, aktivist, hotelier, teknik i kuzhinës mesdhetare dhe kateringut. Ndërsa tani kandidon për anëtar të Këshillit Bashkiak të Venecias. Klaudio ishte i ftuar në rubrikën “Zgjedhja ime” në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV. Ai tregon fillimin e vështirë, se si e bullizonin sepse ishte shqiptar, kur shkoi në fillim në një shkollë në Arco. Askush nuk i fliste. Madje thotë Klaudio, pas tre muajsh në atë shkollë, mora vesh që kisha një shqiptar në klasë se ai nuk fliste nga frika se mos bullizohej. Nxënësit italianë e bullizuan, por ai nuk u dorëzua, mësoi shpejt gjuhën italiane, punoi fort dhe pas pak muajsh u bë kryetar i nxënësve në atë shkollë. Bullizmi më dha forcë, thotë ai dhe kjo është një nga arsyet se përse sot kandidoj në Bashkinë e Venecias që shqiptarët të kenë një shqiptar që t’i përfaqësojë.
“Unë jam nga Durrësi. Kam studiuar në Shqipëri, kam mbaruar shkollën fillore dhe më pas jam zhvendosur në Itali kur isha 14 vjeç, konkretisht në qytetin Arco të provincës së Trentos ku kam jetuar për 14 vjet. Integrimi në Itali ka qenë fillimisht i vështirë sepse më bullizonin se isha shqiptar. Ditën e parë të shkollës, sa morën vesh që isha shqiptar me lanë në një cep të klasës dhe asnjë nuk më afrohej. Kur më prezantoi mësuesja dhe tha që jam shqiptar të gjithë krijuan shprehitë e urrejtjes ndaj meje. U ndjeva shumë keq. Shqiptarin e parë që kisha në klasë e kam njohur pas 3 muajsh sepse ai kishte frikë të thoshte jam shqiptar. Ai ishte indiferent ndaj bullizmit që më bënin shokët e klasës. Për shumë vjet ketë gjë nuk e kam bërë publike dhe prindërve nuk ia thashë. E vuajta në vetvete. Ky është motivi që unë shpërtheva më pas. Për tre muaj mësova italishten, pastaj u zgjodha kryetar i nxënësve të të gjithë shkollës sepse kuptuan që nuk isha shqiptari që mendonin ata. Pra djali që nuk e afronte asnjë në klasë, u bë kryetari i tyre. Unë e ktheva inatin në forcë dhe shpërtheva. Falë atij bullizmi kam shkruar poezi. Kam botuar 7 libra me poezi dhe një tjetër do botohet këtë vit. Sot italianët tani janë bërë shumë miq më shqiptarët. Është më pak e dukshme. Por bullizmin dhe racizmit kundrejt shqiptarit e kanë dhe do ta kenë gjithmonë. Kjo është arsyeja pse duhet të votojnë për shqiptarët kur kandidojnë për Këshillat Bashkiakë, që të ndihen më të sigurt.”, tregon ai.
Klaudio ka nevojë për 150 vota në Fossalta di Piave. Ndaj ai u kërkon 370 shqiptarëve me të drejtë vote në këtë zonë ta votojnë për të pasur një derë të hapur në bashki, ku të shprehin problematikat e tyre.
“Unë erdha në Venecia para dy vjetësh dhe kështu i hyra politikës. U zgjodha të kandidoj në Fossalta di Piave, pranë listës “VIVERE FOSSALTA” që është lista që mbështet kandidatin Vincenzo Sabellico për kryetar bashkie nga Partia Demokratike. Në fillim nuk desha ta pranoj këtë ftesë sepse unë jam i përqendruar te kultura. Shpeshherë kultura dhe politika nuk mbijetojnë me njëra-tjetrën sepse janë dy kampe të ndryshme. Por pse mos e pranoj kur m’u dha kjo mundësi që të jap më shumë për kulturën. Një arsye pse zgjodha të kandidoj është edhe pse Fossalta di Piave ka 4200 banorë. Mua më duhen rreth 150 vota të zgjidhem se vetëm 2500 votues janë. Komuniteti më i madh këtu është ai i shqiptarëve që përbën rreth 370 vetë me të drejtë vote. Këtu në Fossalata di Piave unë jam i vetmi shqiptar që kandidoj.
Unë e dua votën e shqiptarëve sepse këtu në Itali gjatë gjithë këtyre viteve shqiptarët janë parë me një sy tjetër. Ku ka më mirë që në këshillat bashkiake apo komuna të jetë një përfaqësues i tyre, që t’i kenë dyert e hapura. Unë nuk kërkoj poltron, por një votë qe të përfaqëson këtë komunitet të çmuar që vit për vit kontribuon në vlerat, kulturën, ekonominë e shtetit italian dhe ende nuk ka dinjitetin që duhet të kenë shqiptarët në Itali.”, tha Klaudio në DritareTV./K.C/dritare.net