KRENARI/ Veshi xhubletën në diplomimin në Amerikë, 22-vjeçarja: Përfaqëson identitetin tim
22-vjeçarja Mary Camaj, e cila është e sapodiplomuar ne 12 Maj në Shkenca Politike në Universitetin e Kolumbisë në shenjë falënderimi për të parët e saj, veshi xhubletën në ditën e diplomimit. Ajo tërhoqi shume vëmendjen dhe fotot e saj u shpërndanë edhe në mediat shqiptare apo nga personazhe te ndryshëm.
Ne Amerike ajo punon për ish-Këshilltarin e Qytetit të Nju Jorkut dhe kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës, z. Mark Gjonaj. Ajo ishte e ftuar në një lidhje direkte për “Good Morning Albanians” në Euronews ku tregoi se përse kishte zgjedhur të vishej me veshjen tradicionale në diplomimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Doja të ndaja lajmi me të tjerët në rrjetet sociale dhe vendosa të vesh xhubletën time, është xhubletë origjinale, xhubleta e vajznisë. Mendova se meqë jam duke marrë diplomën në shkenca politike, pikërisht për Ballkanin ku jetojnë shqiptarët, unë mendova se xhubleta përfaqëson identitetin tim dhe një foto me një xhubletë flet 1000 fjalë. Kjo ishte arsyeja. Ndërsa për ceremoninë e diplomës, kemi pasur një ditë të caktuar për të bërë fotot, nuk ka qenë dita e ceremonisë. Unë erdha shkova në shkollë dhe vesha xhubletën, jam ndier shumë krenare se xhubleta nuk është vetëm simbol i Malësisë së Madhe por i gjithë shqiptarisë”,-tha Camaj.