Bie kauza e nënë Selvisë / 13 pasuritë e babait dhe vjehrrës së Metës nga Gjiri i Lalzit në Tiranë me vlerë miliona euro…

Në një kohë kur Ilir Meta nisi të kthente në kauzë politike nënë Selvinë me 57 mijë lekë të vjetra pension, gazetari Adriatik Doçi nisi të publikonte pasuritë miliona euro të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës nga Tirana në Gjirin e Lalzit, në emër të të afërmve pensionistë.

Babai i Ilir Metës, Rexhep Metaj, rezulton pronar i një apartamenti në Gjirin e Lalzit, me sipërfaqe 76 m2, me vlerë 60 mijë euro. Ky apartament është blerë në gusht të vitit 2023.

Së pari, në Gjirin e Lalzit një partament 76 m2 nuk kushton 60 mijë euro. Me 60 mijë euro mund të blesh një garazh, por jo apartament.

Së dyti, edhe sikur SPAK dhe publiku të besojë se apartamenti paskërka kushtuar 60 mijë euro, nuk dihet se cili është burimi parave.

Babai i Ilir Metës ka si të ardhura të ligjshme një pension, pak më të lartë se të nënë Selvisë, por që nuk mjafton as për shpenzimet mujore.

I pyetur për këtë pasuri, Meta tha se babai i tij ka shitur te Pazari i Ri dhe se shtëpinë e ka blerë me të ardhurat e së bijës, e cila e cila ka punuar me institucione ndërkombëtare.

“Për pronësinë e kujt, në Gjirin e Lalzit. Të shkojnë ta sekuestrojnë dhe tja falin Dumanit. Babi im është një i nderuar nuk është legen si Dumani. Babai im kur unë isha kryeministër ai shiste te Pazari ri. Nëse ka ndonjë problem me babain tim le t’i marrin pasurinë, babait tim, nënës dhe motrës. Ata nuk shkojnë të arrestojnë Erion Veliajn po kërkojnë gjëra të tjera. Babai im s’ka lidhje me mua. Ai jeton me motrën time, e cila ka punuar me institucione ndërkombëtare. Mos ma përmend babain se e kam sëmurë. Ti arrestojnë të gjithë mua më kanë këtu“, tha Meta.

Babai i Ilir Metës, Rexhep Metaj rezulton bashkëpronar edhe një i apartamenti 77 m2 në Tiranë, blerë me sa duket që në kohën e komunizmit.

Nëse babai i Metës ka shitur te Pazari i Ri, vjehrra e tij, nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi ka shitur qepë në Qytetin Studenti, siç e kujton shoqja e saj, ish e përndjekura politike A. Lubonja.

Nga verifikimet rezulton se pensionistja Fatime Kryemadhi posedon 11 pasuri me vlerë miliona euro në Tiranë, ku përfshihen apartamente dhe njësi ndërtimore.

Fatime Kryemadhi rezulton pronare e një garazhi 267 m2 në Mjull Bathore të Tiranës, përballë TEG, një nga zonat më të preferuara në kryeqytet. Me sa duket bëhet fjalë për garazhin e ndonjë vile ose kompleks vilash të ndërtuara nga Gentjan Sula, përmes kompanisë Agi Kons.

 

Pensionistja Fatime Kryemadhi është bashkëpronare e dy apartamenteve po në Mjull Bathore me sipërfaqe 198 m2. Bashkëpronare është edhe Monika Kryemadhi, e cila nuk e ka deklaruar këtë pasuri në ILDKPKI.

Fatime Kryemadhi është bashkëpronare edhe e një njësie ndërtimore me sipërfaqe 1042 m2 po më Mjull Bathore, bashkë me të bijën Monika Kryemadhi dhe kompaninë Agi Kons. Edhe këtë pasuri Monika Kryemadhi nuk e ka deklaruar në ILDKPKI.

Pensionistja Fatime Kryemadhi është pronare e vetme edhe dy apartamenteve të tjera në Mjull Bathore me sipërfaqe 107 m2 dhe 67 m2.

Fatime Kryemadhi është bashkëpronare edhe i një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 75 m2.

Fatime Kryemadhi është pronare e vetme edhe i një ndërtese me sipërfaqe 82 m2 në Selitë të Tiranës

Fatime Kryemadhi është pronare edhe e tre pasurive të tjera në Mëzez të Tiranës. Babai i Ilir Metës dhe vjehrra e tij kanë të paktën në pronësi 13 pasuri të paluajtshme me vlerë miliona euro.

Ilir Meta është pjesë e kupolës politike prej 30 vitesh, herë në pushtet dhe herë në opozitë. Faktet tregojnë se Meta ka punuar për pasurimin e familjarëve të tij dhe jo për rritjen e mirëqenies për të gjithë shqiptarët.

Si nënë Selvia, ashtu edhe Fatime Kryemadhi dhe Rexhep Metaj, kanë si të ardhura pensionin.

Nënë Selvia jeton në skamje, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Rexhep Metaj kanë një pasuri me vlerë miliona euro për shkak të përdorimit të pushtetit të Ilir Metës, për pasurimin e familjes së tij.

Por, nuk mbaron me kaq. Pas 30 vitesh pjesë e kupolës politike, Ilir Meta tenton të përdorë skamjen e nënë Selvisë për t’u ricikluar në politikë, për të mbrojtur plaçkën e mbledhur dhe ndoshta për t’a shtuar atë.

Scroll to Top