Kreshnik Spahiu: Ramën rrëzojeni në Tiranë, por në Athinë duhet ta lartësoni
Ndenja patriotike duhet të ndizet tek emigrantët në Athinë dhe ta mirëpresin kuq e zi Ramën më 12 maj. Ky ishte mesazhi i Kreshnik Spahiut në Shqip nga Rudina Xhunga.
Ai argumentoi se kryeministri do të mbajë këtë takim, si lider shteti që do të mbrojë me dinjitet Shqipërinë ndaj dhe emigrantët nuk duhet të ndihen të presionuar nga Greqia, dhe të rrezojnë thirrjen.
“Të gjithë kryeministrat shqiptarë ndër vite duhet të kishin marrë 10% të patriotizmit dhe ndjenjës nacionaliste që kanë liderët grekë në raport me mbrojtjen e minoritetit. Kryeministrat shqiptarë nëse do të kishin vepruar kështu, ne nuk do të ishim në këto nivele. Prandaj Rama nuk duhet të tërhiqet nga takimi i së dielës në Athinë. Kam bindjen që incidente dhe provokime të aktivitetit të Ramës në Athinë do të jenë të shumta. Është bërë për të frikësuar emigrantët, do pengohen dhe kërcënohen që mos të marrin pjesë, që të jetë një takim i dështuar.
Ende është evazive pjesëmarrja por shpresoj që ndjenja kombëtare e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, mos të jetë asimiluar. Mos të jetë asimiluar në ato nivele ku në vitet e para po të kishe emrin Kreshnik e bëje Nikollaqi, po të ishe mysliman ose ateist ktheheshe ortodoks. Shpresoj mos të jetë në ato nivele që për ata që i thonin vetes shqiptarë ndryshuan kombësinë për 320 euro dhe u bënë grekë.
Jo për të mbrojtur Ramën, por duhet të kemi ndjenjë patriotike për ngjyrat e flamurit tonë, për t’u ndier të barabartë në një shtet ku jemi diskriminuar sistematikisht. Në një shtet i cili ligjërisht është në luftë me Shqipërinë, nuk lejon as njohjen e pronave të gjyshërve tanë, nuk lejon personazhet publik dhe politikë nëse kanë shprehur kritika për të mbrojtur të drejtat e minoriteti. Në këtë pikë, Rama nuk duhet lënë vete, jo si kryetar i PS, por si i vetmi përfaqësues që mund të mbrojë dinjitetin e shqiptarëve.
Ashtu siç dalin dhjetëra minoritarë për të mbrojtur liderët e Athinës, nuk bëjnë dallime, ashtu duhet të dalin për të pritur Ramën kur shkon për të përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë!
Për një mijë e një arsye, Rama duhet pritur kuq e zi në Athinë. Ta rrëzojmë nga pushteti kur të jetë në Tiranë, por ta lartësojmë në mes të Athinës pasi përfaqëson shtetin shqiptar”, tha Spahiu.