“Na dëboi Saliu”: “Publikohet historia tronditëse, ja si e internoi Berisha çiftin e njohur të mjekëve nga Tirana në Kavajë”
Për herë të parë, emisioni investigativ “Fiks Fare” ka hedhur dritë mbi dëbimin nga Tirana të mjekëve të njohur Milto dhe Margarita Kostaqi në vitin 1982.
Dëshmia e mjekes (e ndarë nga jeta në 2011-ën) dhe 9 personave të tjerë, zbulon veprimet e Sali Berishës, asokohe sekretar partie, i cili i shikonte çiftin e mjekëve si kundërshtarë të tij.
Ngjarja impikon drejtpërdrejt ish-mjekun Sali Berisha, asokohe sekretar partie. Janë detajet e një drame njerëzore që dëshmon qartë personalitetin e njeriut që ka udhëhequr Shqipërinë e post-komunizmit.
Dëshmitë, (disa prej të cilave të regjistruara në 2010), janë transmetuar këtë të martë në “Fiks Fare”!
Filmimet përmbajnë edhe dëshmi të regjistruara nga 9 persona të tjerë veç Margaritës, shumica mjekë, që kanë patur dijeni mbi atë që ka ndodhur në 1982. Edhe këta janë regjistruar me kamera të fshehtë, për shkak të hezitimit për të folur.
Është një histori, e cila sot nuk e ka më protagonisten kryesore.
Zonja Kostaqi, një nga mjeket më të zonja të Tiranës së asaj kohe, me një karrierë të shkëlqyer të ndërprerë në mes nga intrigat e kolegut, nuk jeton më. Pak kohë pas dhënies së kësaj dëshmie, ajo ka ndërruar jetë në 2011. Gjithë jetën, pas dëbimit nga Tirana ajo e kaloi në Kavajë. Dhe pati frikë të fliste publikisht, për atë që i bëri Berisha.