Arbneshi i zarës, albanologu i shquar që vërtetoi autoktoninë e ilirëve e shqiptarëve
Në vitin 2015 u nda nga jeta albanologu i shquar Aleksandër Stipçeviq. Ai ishte arkeolog, bibliograf, etnograf, ishte shkencëtar dhe personalitet i shquar, që me përkushtim dhe argument shkencor mbrojti autoktoninë e ilirëve e të shqiptarëve dhe vendin e rëndësinë e tyre në historinë e Ballkanit Perëndimor.
Me veprimtarinë shkencore të A. Stipçeviqit jam njohur 50 vite më parë, kur pata rastin të marr librin “Ilirët”, Prishtinë 1967, të përkthyer nga italishtja nga profesor Zef Mirdita.
I nxitur nga interesi e vlera shkencore e librit, edhe për lexuesin në Shqipëri, i cili në atë kohë, kishte mundësi shumë të kufizuara për t’u njohur me literaturën e huaj, botova një recension, ku ndër të tjera kam shkruar: “Pas veprës së Karl Paçit ‘Ilirët’, përkthyer e botuar shqip në Tiranë në vitin 1923, vepra e A. Stipçeviqit shënoi një sukses të ri në fushën e ilirologjisë”. (Studime historike 1968, 4, f. 201-206).
Në Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire, që zhvilloi punimet në vitin 1985 në Tiranë, ishte i ftuar edhe A.Stipçeviq, kështu u njohëm e vazhduam miqësinë, bashkëpunimin e shkëmbimit të literaturës deri në fund të jetës së tij.
Pjesëmarrja e Stipçeviqit në këtë Kuvend dhe njohja direkt me rezultatet e kërkimeve arkeologjike në Shqipëri e zgjeruan në mënyrë cilësore dijen për historinë dhe kulturën e Ilirisë së Jugut, për vendin dhe rolin që ata kanë pasur në historinë antike të Ballkanit Perëndimor.
Të gjitha këto A. Stipçeviq i pasqyroi në ribotimin e zgjeruar e shumë më të plotë të veprës së tij për ilirët, të botuar më parë në Prishtinë e në vitin 2002, në Tiranë nga shtypshkronja “Toena”.
Libri është zgjeruar në mënyrë cilësore me pjesët “Simbolet e kultet te ilirët”, “Struktura e simbolizmit ilir, prejardhja dhe zhvillimi i simbolizmit ilir dhe mbeturina e simbolizmit ilir në kulturën e mëvonshme në Ballkan”.
Veprën e prof. A. Stipçeviq e karakterizon përpjekja e vazhdueshme për të plotësuar, saktësuar e thelluar çështjet që trajton në vazhdimësi, siç është edhe qëndrimi i tij për çështjen e origjinës së ilirëve.
Kështu, në intervistën e vitit 1985 (“Bota e re”, Prishtinë), ai në mënyrë thelbësore ka shprehur qëndrimin kur shkruan “Çdo tregim për Ballkanin fillon me ilirët: Të gjitha ato fise, apo, siç i quajmë, popuj, të cilët kanë jetuar në pjesën perëndimore të Ballkanit e që i quajmë ilirë, sheshazi shihet se, pavarësisht nga dallimet, kanë pasur mjaft elementë të përbashkëta, në bazë të cilave mund të flitet për ilirët si një “lidhje”, si tërësi fisesh të ndryshme me përbashkësi të mjaftueshme.
Qëndrimet e pikëpamjet e prof. A.Stipçeviqit janë të qarta edhe për banorët e Ballkanit Perëndimor në periudhën e vonë antike. Me rëndësi është konstatimi i tij, se me gjithë depërtimin e kulturës e qytetërimit romak, ilirët vazhduan të flisnin gjuhën e tyre, të adhuronin perënditë e tyre dhe të vdekurit i varrosnin në mënyrën e tyre tradicionale, i veshin kostumet e tyre popullore dhe përcjellin rendin shoqëror politik të organizimit të tyre fisnor.
Nga këto pohime del qartë qëndrimi i tij se nuk flitet për romanizim të ilirëve dhe as për asimilim e zhdukje të tyre, gjë që dëshmohet nga të dhënat që sjell autori për vendbanimet, kultet, për disa perandorë romakë me origjinë ilire dhe kontributin e tyre në jetën politike e kulturore, në ekonominë etj.
Në vazhdim të kësaj pikëpamjeje që A. Stipçeviq u bën mbeturinave ilire në Ballkan çon në vazhdimin logjik të banimit të trojeve ilire nga e njëjta popullsi. Depërtimi i kulturës dhe qytetërimit romak nuk ndryshoi përbërjen etnike të banorëve, ata – shkruan A.Stipçeviq – vazhdojnë të flasin gjuhën e tyre, adhurojnë perënditë e tyre; të vdekurit i varrosin në mënyrë tradicionale, punojnë tokën ashtu siç e kanë punuar me shekuj të parët e tyre, i veshin kostumet e tyre popullore dhe e përcjellin rendin shoqëror e politik të organizimit të tyre fisnor, që vetëm në rast nevoje i adoptojnë strukturës së administratës romake.
Karakteri enciklopedik i veprës së prof. A.Sptipçeviq dëshmohet edhe në kreun ku trajton jetën e përditshme dhe doket tek ilirët.
Autori ka shfrytëzuar të dhënat e fragmentuara që gjenden në veprat e autorëve antikë si edhe një mori faktesh që vijnë nga gërmimet arkeologjike. Duke bashkërenduar të dhënat e shkruara me ato të kulturës materiale, ka mundur të rindërtojë qoftë edhe në formë hamendësimi, disa nga aspektet e jetës së ilirëve si, arm.atimet e një luftëtari ilir, stolitë e gruas ilire, elemente të veshjes.
Autori ka shfrytëzuar të dhëna, ndonëse të kufizuara, për të ndriçuar aspekte të jetës së ilirëve si për tatuazhin, higjienën, sëmundjet, ilaçet që përdornin ilirët etj.
Duke grumbulluar copëza nga burimet e shkruara e nga gjetja e objekteve të kulturës materiale flet për bujqësinë, blegtorinë, gjuhën, peshkatarinë, xehtarinë, për minierat e krypës, prodhimin e qelqit, rrugët tregtare, monedhat etj. Qëmtimi, grumbullimi dhe sistemimi i të dhënave qoftë edhe të fragmentuara, ashtu siç vijnë nga lashtësia, mundësojnë rindërtimin në formë hipotekore të aspekteve të jetës së përditshme të stërgjyshërve tanë.
Një vlerë të tillë ka trajtesa për jetën shpirtërore, për religjionin, totemizmin, artin figurativ, doket mortore, muzikën, vallet, shkrimin e gjuhën e ilirëve.
Veprimtaria shkencore e A.Stipçeviqit karakterizohet nga përditësimi e korrektesa shkencore në plotësimin e veprës me të dhënat e reja, si edhe me rishikimi e pikëpamjeve në dritën e zbulimeve të reja arkeologjike.
Kjo dëshmohet më së miri në botimin në shqip të veprës “ILIRËT, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit”, Tiranë 2002, ku janë përfshirë tërësisht pjesë të reja si “Simbolet e kultit te ilirët”. Në këtë shtojcë prej 196 f., e cila mund të ishte edhe një libër më vete, si nga trajtesa e veçantë dhe e detajuar e kulteve të ilirëve, e simbolizmi religjioz, ashtu edhe nga vëllimi është një ndihmesë e re cilësore për njohjen e jetës shpirtërore të banorëve të tejlashtë të vendit tonë.
Karakteri enciklopedik i veprimtarisë së A. Stipçeviçit provohet katërçipërisht edhe në drejtimin shkencor të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave të Kroacisë, ku ka dhënë një ndihmesë të shquar në përpunimin metodik e shkencor të librit. Ai është autor i bibliografisë analitike të ish-Jugosllavisë dhe autor i veprës “Povijesknigi” (Historia e librit), Zagreb 1985, f.560, shoqëruar me shumë ilustrime, vepër e përkthyer në shqip e botuar në Prishtinë 1988 dhe ribotuar në Tiranë në vitin 2000. Libri karakterizohet nga një informacion i hollësishëm e i dokumentuar, i përhapjes së shkrimit dhe librit në botë, duke iu përmbajtur karakterit kronologjik e gjeografik të përhapjes së tij.
Rrëfimin për historinë e librit, autori e nis me pllakat prej balte të shkruara, të gjetura 4500 vjet më parë në Mesopotaminë e lashtë, e në vijim me shkrimin në Lindjen e Mesme e të Largët, me librin në botën greko-romake, në Mesjetën evropiane, në Perandorinë Bizantine, në botën arabe, në Lindjen e Largët në Mesjetë, në civilizimet parakolumbiane të Amerikës, në periudhën e Rilindjes Evropiane, e deri tek libri e bibliotekat në shek. XX. Vepra “Historia e librit” e Stiçeviqit është realizimi enciklopedik më i plotë që njohim për historinë e librit, e botuar deri më sot.
Aleksandër Stipçeviq ishte shkencëtar dhe personalitet i shquar shoqëror, që me veprën e tij shkencore enciklopedike hyn në radhën e albanologëve më në zë të dekadave të fundit. / Muzafer Korkuti