1914/ Ultimatumi që Austro-Hungaria i dha Serbisë!
Jahja Drancolli
Si sot më 1914, Austro-Hungaria i jep Serbisë ultimatum: Gati një muaj pas vrasjes së arkidukës austriak Franz Ferdinand dhe gruas së tij nga nga nacionalisti serb Gavrilo Princip në Sarajevë, Bosnje, më 28 qershor 1914, baroni Giesl von Gieslingen, ambasadori i Perandorisë Austro-Hungareze në Serbi, i dorëzoi Ministrisë së Jashtme Serbe ultimatum!
Në takimet ministrore të 15 dhe 19 korrikut u hartua një ultimatum qëllimisht provokues me fjalë që gjoja përjashtonte mundësinë e pranimit nga Serbia. Ultimatumi iu dorëzua qeverisë serbe më 23 korrik. Përgjigja serbe, e dorëzuar në kohë më 25 korrik, u deklarua e pamjaftueshme, megjithëse Serbia ishte pajtuar me të gjitha kërkesat austro-hungareze, përveç dy që, në fakt, përfshinin ndryshime kushtetuese në qeverinë serbe. Në përgjigjen e saj, qeveria serbe theksoi se kërkesa të tilla ishin të paprecedentë në marrëdhëniet midis shteteve sovrane, por megjithatë pranoi që çështjen t’ia dorëzonte çështjen Gjykatës së Përhershme Ndërkombëtare të Arbitrazhit ose arbitrazhit të Fuqive të Mëdha (përfshirë Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Rusinë, përveç Austrisë). Me të marrë këtë përgjigje, ambasadori austro-hungarez u largua nga Beogradi, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
Ministri i Jashtëm Berchtold dhe qeveria e tij ishin qartësisht të vendosur për t’i bërë luftë Serbisë, pavarësisht se një veprim i tillë mund të rezultonte në luftë midis Fuqive të Mëdha. Ndërsa qeveritë europiane u përpoqën furishëm të ofronin zgjidhje kompromisi, Austria vendosi për një fakt të kryer. Më 28 korrik 1914, Berchtold i kërkoi Franz Jozefit të nënshkruante deklaratën e luftës, duke e informuar atë se nuk mund të përjashtohet që fuqitë e Antantës (Rusia, Franca dhe Britania e Madhe) mund të bëjnë një lëvizje tjetër për të sjellë një zgjidhje paqësore të konfliktit, përveç nëse një shpallje lufte vendos një fakt të kryer. Ndërkohë, qeveria gjermane kishte marrë nën kontroll situatën. Duke vendosur planet strategjike dhe kombëtare gjermane mbi interesat austro-hungareze, Gjermania e shndërroi konfliktin ballkanik në një luftë kontinentale duke i shpallur luftë Rusisë dhe Francës!