“Kur Genc Pollo qortonte si mësues Ilir Metën për floririn e Krrabës: “Mos trego përralla të tipit “Ali Baba me 40 hajdutë”
Adriatik Doçi: “Në fillim të vitit 2000, politika shqiptare u përfshi nga debatet dhe akuzat për një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme në historinë e pluralizmit shqiptar, grabitjen e thesarit të shtetit në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë.
280 kg ar u vodhën në thesarin e shtetit gjatë ngjarjeve të vitit 1997.
Mënyra e vjedhjes dhe autorët e vërtetë akoma mbetën një mister që nuk ka marrë përgjigje nga drejtësia. Misteri tjerë i madh konsiston në pretendimin e strukturave më të larta të shtetit shqiptare se janë informuar për vjedhjen e floririt tre vite pasi ishte realizuar grabitja.
Kur skandali plasi në media dhe përfshiu politikën, fillim të vitit 2000, kryeministër ishte ilir Meta. Ky i fundit akuzohej nga Sali Berisha si i përfshirë në vjedhjen e floririt. Por, në atë kohë Berisha kishte tërhequr PD-në nga Parlamenti. Nga ana tjetër, Genc Pollo me Dritan Shehun dhe disa deputetë të tjerë ishin ndarë nga Berisha, pas mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve të brendshme. Pollo me grupin e tij ishte në parlament. Në këtë kuadër, deputetët e PD kërkuan një interpelancë me Metën në Kuvend për vjedhjen e floririt.
interpelanca u zhvilluar në 17 maji të vitit 2000. Duke iu përgjigjur pyetjeve të Pollos, Meta shprehet se për herë të parë ishte vënë në dijeni për vjedhjen e floririt në datën 7 prill të vitit 2000, pas një kërkese të tij për inventarizimin e arit. Meta sqaron edhe veprimet që ka ndërmarrë pasi është informuar për grabitjen e thesarit, që nga informacioni institucioneve ndërkombëtare financiare deri tek vënia në lëvizje të Prokurorisë. Po pse fillimisht qeveria ‘Meta’ mohoi vjedhjen e thesarit? Meta sqaron se janë bërë dy verifikime të floririt. Pas verifikimit të parë i është raportuar ministrit të rendit Publik që nuk ka pasur probleme. Por, sërish ka pasur dyshime. Në këto kushte, është bërë një verifikim i dytë, i cili ka konfirmuar grabitjen.
Procesverbali i seancës së 17 maji 2000 për vjedhjen e floririt
-Genc Pollo: Kur është vënë në dijeni Kryeministri për vjedhjen e thesarit?
-ilir Meta: Mund t’ju them se unë jam vënë në dijeni zyrtarisht për dëmtimin e një pjese të thesarit në datën 7 prill të këtij viti, kur, në bazë të kërkesave të mia të mëparshme si Kryeministër për informacion të detajuar, jam vënë në dijeni për mungesa fizike të një pjese të thesarit në vendruajtjen e tij në objektin “Lumi” në Kërrabë, si rezultat i inventarizimit të kryer me kërkesën time në cilësinë e kryeministrit.
-Genc Pollo: Cili ka qenë statusi i ruajtjes së thesarit dhe a ka ndryshuar ai në vitet 1997-2000?
-ilir Meta: Dua të nënvizoj, së pari, se statusi i ruajtjes së thesarit nuk ka ndryshuar për këtë periudhë që pyet z. Pollo. Detyrat e organeve të ekzekutivit për ruajtjen e thesarit, pavarësisht nga detyrat e institucioneve të tjera që nuk varen nga ekzekutivi, janë përcaktuar, përveç të tjerave, në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 138, datë 28.06.1974, “Për kalimin në ruajtje të një pjese të arit dhe të argjendit të monetar”, në rregulloren nr. 3 të datës 15.03.1995, të ministrit të Brendshëm “Për sigurimin dhe regjimin e ruajtjes së objektit “Lumi” dhe të zonës përreth, në rregulloren nr. 1 të ministrit të Brendshëm të datës 26.04.1996, “Për administrimin, ruajtjen dhe sigurimin fizik të thesarit të shtetit “Çeliku”. Si përfundim të përgjigjes së kësaj pyetjeje, theksoj se objekti i thesarit të shtetit ka vazhduar edhe gjatë këtyre tre vjetëve të trajtohet siç është trajtuar në vitet e mëparshme. Statusi i këtij objekti është sekret, i rëndësisë së veçantë dhe gjithmonë është trajtuar si i tillë.
-Genc Pollo: Cilat kanë qenë veprimet dhe përgjegjësia e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në këtë çështje, si dhe ato të Kryeministrit dhe të ministrit të rendit Publik?
-ilir Meta: Lidhur me këtë pyetje, dua t’ju kujtoj se, për sa i përket guvernatorit të Bankës së Shqipërisë si institucion, kompetencat, detyrat dhe përgjegjësitë përcaktohen qartë në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë” nr. 8269, datë 23.12.1997, ndryshuar me ligjin nr. 8384, datë 29.07.1998.
Lidhur me atë se çfarë veprimesh kam bërë unë, si kryeministër dhe drejtues i institucioneve përkatëse që varen nga qeveria, deri tani, për këtë çështje mund të them se: së pari, menjëherë sapo ka rezultuar kjo humbje nga inventari që është bërë, qeveria ka informuar institucionet ndërkombëtare financiare partnere, me të cilat kemi programe të bashkëpunimit, për të qenë sa më transparent me to. Së dyti, menjëherë për këtë ngjarje shumë të rëndë kam kërkuar nga organi kompetent, Prokuroria, dhe nga institucionet e tjera të ekzekutivit, si Ministria e rendit Publik dhe Shërbimi informativ i Shtetit, të kryejnë detyrimet e tyre ligjore me përpikërinë më të lartë dhe në bashkëpunim të plotë, në mënyrë që të intensifikohet procesi i hetimit. Për këtë u është kërkuar drejtuesve të institucioneve që të vënë gjithçka në dispozicion të Prokurorisë për zbardhjen, zbulimin dhe dokumentimin e kësaj vjedhjeje, si dhe të personave përgjegjës për të.
Kam kërkuar që institucionet përkatëse të marrin masa, brenda kompetencave të tyre, për sigurimin dhe ruajtjen e këtij objekti të vjedhur e të dekonspiruar nga nxjerrja e sekretit.
Kam kërkuar rishikimin e gjithë bazës ligjore për sigurimin dhe administrimin e thesarit të shtetit, me synimin për vënien e tyre në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe përsosjen e teknikës profesionale të këtij rregullimi juridik, në mënyrë që në të ardhmen të mos ndodhin më ngjarje të kësaj natyre. Kam kërkuar marrjen e masave të shpejta, nëpërmjet të gjitha strukturave përkatëse, për zbulimin, dokumentimin dhe kapjen e autorëve të shumave të vjedhura.
Mund t’ju them se të dhënat e para nga procesi i hetimit janë premtuese, është arritur të gjendet një pjesë e vogël e thesarit të grabitur, janë ndaluar disa prej autorëve të kësaj vepre dhe Prokuroria, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera, po punon në mënyrë intensive për të verifikuar më tej e për ta zbardhur edhe më tej këtë çështje, për të ndaluar edhe personat e tjerë që janë autorë ose bashkëpunëtorë të autorëve të deritanishëm të ndaluar dhe për të vënë para përgjegjësisë personat përkatës, të cilët nuk kanë bërë detyrën e tyre ashtu siç duhet.
Detaje të mëtejshme unë nuk mund të jap, për arsye se kjo është një çështje në hetim, është një çështje që tashmë është marrë nga Prokuroria, e cila është një institucion që nuk varet nga Kryeministri dhe nga Qeveria. Në rast se ajo do ta gjykojë të arsyeshme të japë të dhëna më të plota, këtë mund ta bëjë; këtë mund ta kërkoni edhe ju si Kuvend, si grupe parlamentare ose si deputetë të veçantë.
Nëse këtu ka dëshirë e vullnet për të politizuar me këtë çështje, unë jam gati që tani të vazhdojmë të bëjmë debate politike, por mendoj se kjo nuk do t’i shërbejë zbardhjes së plotë dhe deri në fund të kësaj çështjeje; përkundrazi, do të shfrytëzohet për të dëmtuar procesin e hetimit dhe për të kaluar në akuza politike të panevojshme. Kjo është arsyeja që thashë se thesari nuk është vetëm i qeverisë, por është i Shqipërisë. Pra, shpresoj në përgjegjësinë e të gjithëve, për të qenë objektivë në gjykimin e kësaj çështjeje dhe për të qenë më të qetë. unë personalisht jam i qetë dhe i bindur se procesi i hetimit ka hyrë në një rrugë të mbarë.
-Genc Pollo: …humbja e thesarit të shtetit është një çështje shumë serioze. Fakti që preket një objekt i sigurisë së veçantë dhe që preket nga njerëz të cilët i dinë kodet, me sa del nga informacionet, është një gjë që nuk mund të kalojë pa pasojë. Dhe jo pa qëllim kishim vënë në pyetjet që paraqitëm si grup deputetësh, që të nxjerrë përgjegjësitë personale për të gjithë përgjegjësit e kësaj vjedhjeje. Kryeministri nuk e përjashton dot veten nga përgjegjësia, gjithashtu edhe ministri i Financave dhe ministri i Brendshëm. Në të njëjtën mënyrë, edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, pavarësisht nga pavarësia e tij ligjore. Dhe është e padrejtë që të merren disa fshatarë, të arrestohen natën, të hapen gropa, të nxirren florinj dhe pastaj të kalojmë në përralla të tipit “ali Baba me 40 hajdutë”, sepse ata janë të fundit që mund të jenë përgjegjës për këtë vjedhje të madhe të thesarit të Shqipërisë, ku përgjegjësia kryesore duhet të fillojë nga titullarët. Prandaj them që jam i pakënaqur nga sqarimi i Kryeministrit. Duke perifrazuar fjalën e urtë, themi “thesari luan, Qeveria s’luan”. Por të jeni të sigurt që do të luajnë të gjitha, z. kryeministër.
ilir Meta: unë bëra një ftesë për mirëkuptim, por më vjen keq që z. Pollo nuk e pranoi. ajo nuk është një ftesë për të mos bërë debat, sepse unë thashë që jam gati të bëj debat gjithë ditën dhe gjithë natën me Partinë Demokratike, me z. Pollo, me z. Berisha, me zonjën Topalli e me cilindo tjetër. Dua t’ju them se inventari ka përfunduar më 6 ose 7 prill, kohë në të cilën unë jam informuar zyrtarisht për të. Ky inventar është kërkuar të bëhet nga ana ime si Kryeministër, pasi më parë, jo thjesht nga ato që ka deklaruar opozita, por edhe nga shqetësime të tjera që kanë ardhur nga institucione në vartësi të kryeministrit dhe të qeverisë, ka pasur dyshime për dëmtimin e këtij objekti, ndaj unë kam kërkuar të bëhet verifikimi fizik.
Është bërë një herë verifikimi fizik dhe i është raportuar ministrit të rendit Publik që nuk ka pasur probleme. Kjo është arsyeja që ka pasur një deklaratë, e cila nuk ka të bëjë me atë që gënjen ministri i rendit ose që ka gënjyer kryeministri, por ka të bëjë me mungesën e përgjegjësisë së personave të cilët kanë pasur përgjegjësi direkte për këtë objekt dhe këto çështje tashmë janë në hetim. Nuk ka vajtur atje ministri i rendit Publik të bëjë verifikimin fizik, as unë nuk kam vajtur dhe nuk është detyra jonë për ta bërë këtë. Kështu që interesimi ka qenë i vazhdueshëm. Edhe pas këtij raportimi, përsëri shqetësimet kanë vazhduar. Kjo ka qenë arsyeja që është kërkuar të bëhet përsëri verifikimi. Pas kësaj, përfundimisht ka pasur një qëndrim se objekti është dëmtuar fizikisht.
Atëherë, pas kësaj, kam kërkuar të bëhet inventari, që ka përfunduar në fillim të muajit prill dhe unë jam informuar zyrtarisht për këtë çështje më 7 prill. Lidhur me atë që pse nuk e dëgjuam kaq shumë opozitën, unë dua të them se opozita thotë shumë gjëra; ka raste që thotë edhe gjëra të vërteta, por jo në pak raste ne e dimë se çfarë mashtrimesh dhe sajimesh prodhon z. Berisha dhe partia e tij. Në këtë rast paska qenë e vërtetë dhe z. Berisha e ka ditur përpara meje dhe përpara shumë të tjerëve që thesari qenka dëmtuar dhe qenka vjedhur. Madje, ai ka treguar edhe histori se si është vjedhur, nga është hyrë e nga është dalë, që tregon se ka një informim të plotë për këtë çështje. unë e ftoj z. Berisha dhe Partinë Demokratike, që kanë informacione të plota, të bashkëpunojnë me Prokurorinë, të tregojnë se nga i kanë marrë këto informacione, në mënyrë që të ndihmojnë për zbardhjen e kësaj të vërtete. Në të kundërt, mendoj se ata rëndojnë veten e tyre.
Për sa i takon statusit për këtë objekt nga viti 1997 deri në vitin 2000, më duket se përgjigjja ishte e qartë dhe ju për këtë kohë e kishit bërë pyetjen, z. Pollo. Por ndërrim statusi ka pasur më përpara dhe për këtë është folur në shtyp. Pra, nuk bëhet fjalë për ndërrimin e statusit nga viti 1997 deri në vitin 2000. Lidhur me vlerën e dëmit, ju nuk keni bërë pyetje për këtë, por në një deklaratë të saj, Qeveria e ka bërë të qartë që vlera e përafërt e këtij dëmi është 2,8 milionë dollarë. Kjo është si rezultat i përdorimit të kursit ndërkombëtar, në bazë të procedurave që ka edhe Bursa e Londrës, dhe u është komunikuar edhe institucioneve ndërkombëtare financiare. Kështu që unë do t’ju ftoja të mos e politizonit më tej këtë çështje”.(Shqiptarja.com)