Historia e pabesueshme: Si vodhi 31-vjeçarja 8 milionë euro, në një grabitje të denjë për filma
Ajo ishte fshehur për dy vite e gjysmë, por tani është në pranga. Hetuesit gjermanë arrestuan në aeroportin e Bremenit hajduten e 8 milionë eurove, Yasemin Guendogan, 31 vjeç. Ajo thuhet se është përgjegjëse për vjedhjen spektakolare nga kompania e transportit të parave ‘Loomis’ në Bremen më 21 maj 2021.
31-vjeçarja fillimisht u arratis jashtë vendit, por tashmë ka vendosur të dorëzohet tek autoritetet, siç ka bërë të ditur përmes avokatit të saj. Ajo udhëtoi nga Turqia drejt Gjermanisë dhe u prangos në aeroport. Pas arrestimit, ajo doli përpara një gjyqtari të martën, kurse tani ndodhet në paraburgim.
Si ndodhi vjedhja spektakolare
Puna e Yasemin Guendogan te kompania ‘Loomis’ ishte që të paketonte kartëmonedhat në kuti parash, të cilat më pas dërgoheshin me makinat e blinduara në bankomatet e bankave.
Të premten e 21 majit 2021, ajo goditi: Në vend që t’i mbushte kartëmonedhat në kutitë e përcaktuara si zakonisht, ajo paketoi 8 milionë euro në thasë dhe i hodhi në një kontejner që normalisht përdoret për mbeturinat.
Ajo hodhi më shumë mbeturina mbi kontejner për ta kamufluar. Më pas kontejnerin e nxori jashtë, paratë i shkarkoi në një Mercedes Vito të marrë me qira në Berlin me targa të vjedhura, hyri brenda dhe u zhduk pa lënë gjurmë. Vetëm pas katër ditësh, kur punonjësit po fusnin kutitë me para në bankomatet e bankave, vunë re krimin.