Aristidh Kola: Shqiptarët që bënë Greqinë! T’i rikujtojmë ata që shum nga ne i kemi harruar

Revista “Besa”, nisi botimin e saj si organ i Shoqatës së Arvanitasve të Greqisë, në vitin 1983 si revistë e përtremuajshme.

Artikulli i Aristidh Kolës shfaqet në numrin e 5-të të “Besës” (qershor-korrik-gusht 1984), në kohën kur autori ishte edhe sekretar i Lidhjes ndërsa kryetar Jorgo Jeru. Revista e cila vijon të dalë edhe sot, trajtonte çështje të historisë, folklorit, letërsisë dhe temave aktuale, ashtu si dhe revista tjetër, e përdymuajshmja “Arvanon”.

Përveç artikujve të shumtë dhe kontakteve të shtuara me diasporën arbëreshe kudo nëpër Mesdhe e botë, vepra e Aristidh Kolës, i lindur në vitin 1944 në fshatin arvanitas Kaskaveli të Tebës (Thivës) në Greqinë qëndrore, është pëijetësuar në dy librat e tij të famshëm, “Arvanitasit dhe origjina e grekëve”, 1983, dhe “Gjuha e perëndive”, 1989.

NGA ARISTIDH KOLA

Shumë lexues, pas numrit të kaluar të “Besës”, që kishte në kopertinë portretin e “Plakut të Moresë” me nëntitull “Luftëtari i madh arvanitas”, na kërkuan të ofrojmë më shumë të dhëna për të mbështetur pikëpamjen tonë. Prandaj, po botojmë këtë artikull.

INTERPRETIMI I MBIEMRAVE TË FARËS SË KOLLOKOTRONËVE

Kollokotroni. Sipas pohimeve të vetë heroit, gjyshi i tij Jani Boçka ishte një njeri trupmadh dhe kishte të pasme goxha të gjera. Dikur, e sheh një shqiptar dhe thotë: Ç’është ky bithgur, bre? Që atëherë, thotë Kollokotroni, i mbeti gjyshit tim nofka “Bithgur” dhe u harrua mbiemri i mëparshëm i familjes, Boçka. Në fakt, kuptimi i Kollokotronit si fjalë,është përkthimi i saktë grek i arvanitases “Bithgur”, prapanicë e fortë.

Siç është e kuptueshme, Plakun populli e quan Bithguri. Ndërsa historianët e sotëm fjalamanë i drejtohen me termin e përkthyer “Kollokotroni”; ndaj me të drejtë ngrihet pyetja: Përderisa populli u këndon heronjve të vet (në vargje popullore dhe muzikë) në gjuhën e vet dhe jo në gjuhën e fjalamanëve, ç’u bë me këngët popullore për Bithgurin? Ne dimë këngë për Kollokotronin. Pra njohim këngët e përpunuara nga dora e fjalamanëve, që i quajmë popullore, ndërkohë që këngët origjinale të popullit i mbuloi errësira. Dhe për fat të keq, kv rast nuk është i veçuar.

Boçka. Siç thamë edhe më lart, mbiemri i mëparshëm i Kollokotronëve ishte Boçka (BOTSIKA). Por ç’do të thotë Boçka dhe me cilën gjuhë shpjegohet kjo fjalë? Duke rilexuar me kujdes kujtimet e Kollokotronit, e gjeta përgjigjen. Theodhor Kollokotroni thotë: “Djali i këtij Dhimos (Çergjinit) u mbiquajt Boçka dhe e la emrin e familjes së vet, që ishte Çergjini. E quajtën kështu, sepse vinte i vogël dhe i zeshkët..,”. Kësisoj, Kollokotroni na thotë se edhe Boçka ishte një nofkë, që ka kuptimin “i paktë dhe zeshkan”. Jo vetëm kaq, por ai e dinte kuptimin e kësaj fjale, e dinte cilët e përdornin këtë nofkë dhe ç’gjuhë flasin ata. Por ja që studiuesit e historisë dhe biografët e heroit nuk hedhin dritë mbi këtë çështje. Me pak fjalë, Theodhor Kollokotroni e dinte gjuhën arvanite dhe e fliste më mirë se gjyshi im që nuk ma shpjegoi dot se ç’do të thotë fjala boçkë, derisa u detyrova të kërkoj nëpër fjalorë dhe të konstatoj që: Boçka është në fakt emri i bimës që ne e njohim si qepa e egër; një bimë me bulb, nga e cila nëpër botë ekzistojnë mbi 80 lloje dhe në Greqi nja katër a pesë, ku njihen mirë ajo e bregdetit, që mbin nëpër kodrat e bregut, dhe ajo e Me-sinisë që gjendet kudo nëpër këtë krahinë, e cila është atdheu i parë i Kollokotronëve të vjetër. Pikërisht rrënja e kësaj bime, bulbi me ngjyrë të errët, që ngjan me qepën, besohej se kishte veti forcuese për zemrën, kurse arvanitasit e vjetër e varnin nëpër dyert e shtëpive për të mbajtur larg të ligën. Pikërisht kjo bimë, pra, në gjuhën arvanitase qubet boçkë ose kuçupë apo kutupë, dhe nga kjo bimë mori nofkën-mbiemrin paraardhësi i Theodhor Kollokotronit, djalë i Dhimo Çergjinit. Përderisa ky djalë ishte kaq i vogël në trup dhe i errët në lëkurë, nuk inund ta quanin as qiparis, as rrap, por e krahasuan me një nga bimët më të hasura bulbore të krahinës.

Çergjini. Pamë se përpara se të quheshin Boçkatë apo Kollokotronë, kjo farë arvanitase ishte Çergjine. Mbiemrin Çergjini, biografët e Kollokotronit e shkruajnë Xhergjim, Cerjini apo edhe Serjini, me tingull gjithnjë e më greqisht. Kjo dukuri është kaq e hasur tek studiuesit e shekullit të shkuar, sa edhe Bubulinës i thoshin Vovolina, Boçarin apo Boxharin e shkruajnë Vocaris, Beun e shkruanin Veu, e madje helenistët e shkolluar në Gjermani shkuan deri tek Ouej, e hajde ta kuptojë dikush se Ouej na qenkësh Bej.

Por shqiptimi i vërtetë i mbiemrit të Kollokotronëve është Çergjini ose Xhergjini. Ky mbiemër është i përbërë nga fjala Çer- ose Xher- dhe nga pjesa kryesore Gjini. Pjesa e parë, nëse realisht është Çer (dhe për efekt lehtësie në shqiptim shkon në Xher), në arvanitishten e Moresë do të thotë i zgjuar, i lëvizshëm, ‘djall’. Dhe këtë përfundim tiniin që e mbështeti edhe botuesi Ambrosios Dedemadhis, e quaj më të saktë nga versioni tjetër i po këtij studiuesi, sipas të cilit pjesa e parë e mbiemrit ishte Xher që buron nga rënja e fjalës arvanitase i Zi (të zes, u nxi)…

Përtej kësaj, duhet ditur se mbiemrat e shtresave të thjeshta arvanitase vinin rëndom nga nofkat e ngulura në vite, dhe vetëm familjet e pasura, oxhaqet e vjetra apo personalitetet e shquara merrnin nga populli mbiemra nderi. Kështu Konstandin Paleologun, perandorin e fundit të Bizantit, bashkëluftëtarët e tij arvanitas dhe populli e quanin Dragashi – Dragoi i vogël. Por nuk mund të përjashtohet që, në epokën kur përmenden për herë të parë Çergjinët në Mesini, rreth viteve 1500, i pari i tyre të ketë marrë një mbiemër nderi. Gjithsesi, nëse për pjesën e parë të mbiemrit të Çergjinëve mund të ketë paqartësi, nuk ka asnjë dyshim për të dytën. Emri Gjin ishte ndër më të përhapurit mes arvanitëve në epokën e popullimit masiv të Peloponezit prej tyre. Të shumtë janë ata që mbështesin tezën se emri Gjin vjen në fakt nga Jani. Mendimi im është se këta dy emra nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. Jani e ka origjinën nga emri hebraik Johanan dhe u përhap në Europë bashkë me krishtërimin. Ndërsa Gjini ka origjinë arkeolirike dhe besoj se është i njëjtë me emrin arkeolirik Gënth, që autorët grekë e romakë e kanë përmendur si Gent.

GRATË E KOLLOKOTRONËVE

Kollokotronët, Boçkatët ose Çërgjinët apo Bithgurët, jetonin në një zonë tipike arvanotase të Moresë “arvanitase”, midis Mesinisë dhe Arkadisë. Edhe gratë që ata marrin janë arvanitase, dhe nuk mund të ishte ndryshe,s epse ishte ligj i pashkelur deri pak vite më parë, që arvanitasi të amrtohej me arvanitase. Popujt e tjerë bënin martesa brenda besimit fetar, ndërsa arvanitët maroheshin Brenda racës, qoftë dhe me fe të ndryshme! Prandaj themi se fara arvanitase as që bënte vaki të përzihej.

Historianët tanë dhe dhespotët e patriarkët e vjetër e quanin mëkat që i krishteri të martohej me një myslimane; dhe për arvanitasit myslimanë rezervuan termin jo vetëm antihistorik, por edhe të pabesë “turkallvanos”, që të krijon përshtypjen e një populli nënprodukt i përzierjes mes turqve dhe shqiptarëve, çka për arvanitët është kryekëput e pavërtetë. Nga ana tjetër, arvanitasit e krishterë i quajtën helenë, dhe me këto sajesa u ndërtua kaosi historik grek i pas revolucionit dhe kjo injorancë e sotme qesharake për historinë.

Kështu, gruaja e të parit të Kollokotronëve është nga fshati arvanitas Rupaqi i Mesinisë. Gjyshja e Theodhor Kollokotronit është nga fshati arvanitas i Arkadisë, Hrisovici (ka kuptimin viçi i artë).Vetë Kollokotroni martohet me Ekaterina Karuzon nga Leondari i Arkadisë (Karuzo dhe Karuso janë shumë arvanitas të Greqisë dhe Italisë së jugut). Djali i tij, Panoja, martohet me bijën e arvanitases së madhe Bubulina, e kështu me rradhë.

TË AFËRMIT E KOLLOKOTRONËVE

Le të shohim edhe lidhjet familjare dhe të afërmit e Kollokotronëve. Ata kishin lidhje familjare me:

-Ndretë e Trifilisë. Me këta, me Ndretë heroikë, Plaku i Moresë do të kryejë me sukses të gjitha misionet më të rëndësishme luftarake. Dhe Ndretë janë arvanitas të kulluar. Në fshatrat Sulimohoria të Trifilisë,

prej nga e kanë prejardhjen ata, edhe sot e kësaj dite flasin arvanitishten.

-Nip i Kollokotronit ishte Nikitara Stamatelopulos ose Turkofagu. Nikitarai vjen nga fshati Turkoleka e Megalupolit të Arkadisë, dhe pseudonimi i tij ishte pikërisht Turkolekas, pra sipas origjinës. Nuk e dimë me siguri nëse ky emër u shndërrua në Turkotagos, por është fakt që Nikitarai i ndjeshëm, ishte realisht shfarosës i turqve. Por ky pseudonim duhet të ketë qenë një kombinim i zgjuar dhe i qëlluar i emrit Turkolekas. Mbase emri në fjalë kuptohej si… origjinë turke. Por në fakt Turkolekas nuk ka kuptim tjetër veçse Leka mysliman (Leka, emër i zakonshëm arvanitas, shkurtim i Aleksandrit). Ndonjë arvanitas i quajtur Lekë, mesa duket u vendos në atë zonë dhe u bë krijuesi i parë i fshatit të Nikitarait. Le të shënojmë këtu se në epokën e pushtimit turk, me termin “turk” në Greqi nuk nënkuptohej vetëm turku në kombësi, por çdo besimtar mysliman. Turqit ‘par excellence’ të Anadollit, i quanin halldupë.

-Të tjerë të afërm e bashkëluftëtarë të Kollokotronëve ishin Plaputejtë. Ne njohim plakun Koli Plaputa dhe të birin Dhimitër, i cili u dënua me vdekje bashkë me Kollokotronin nga bithshoshët (njerëzit pa bythë. shën. i përkth.) që shtinë në dorë Greqinë për llogari të fuqive europiane. Koli Plaputa ishte arvanitas nga fshatrat e Trifilisë. Pas vrasjes së një “turku” të zonës, thonë historianët tanë fjalamanë; i një arvanitasi mysliman, them unë, sepse turku nuk vinte dot këmbë në fshatrat arvanitase dhe as do gjeni një ofiqar turk në këto fshatra – Koli iku dhe u vendos në Palumba të Jortunisë. Këtu, sërish mbetet për t’u interpretuar kuptimi i Plaputas. Përgjigjen e gjeta tek studimi që kishte bërë Theodhor Kollokotron Trimi, i mbiquajtur Falezi, nip i Plakut të Moresë, botuar në gazetën Akropolis të 1881-it, faqe 732. Këtu, ai e quan plakun Koli Plaputa edhe“Palumbioti”, pra ai që vjen nga Palumba. Por kjo fjalë në gjuhën arvanitase, si dhe në gjuhët latine, do të thotë pëllumb. Me dallimin e vetëm se në arvanitisht zanoret tentojnë të bien dhe Palumbioti bëhet Plumbiot, Plmbiot. Prej këtej rrjedh Plamputas dhe, më greqisht akoma, Plaputas.

KOLLOKOTRONI DHE VËLLAMËT

Përtej lidhjeve fisnore e familjare, Kollokotronët krijuan dhe forcuan lidhje vëllazërimi, sërish me arvanitas! Vëllazarimi dhe vlamëria janë fjalë dhe dukuri arvanitase. Vete vëllamët (Vlamidhes) përmenden në historinë tonë si grup proselitësh, anëtarësh sekretë të Filiqi Eterisë, por pikërisht prania e kësaj fjale në organizmin e Shoqërisë së Miqve flet shumë për origjinën e krerëve të saj. Kësisoj, Kollokotronët ishin vëllamë me arvanitas dhie madje jo vetëm me të krishterë, por dhe myslimanë. Sepse siç thamë, popullin arvanitas nnk e pengonte dallimi i besimit fetar, nuk e ndanin dogmat religjioze. Vetëm më pas do të binin mbi ta Patriarkana, dhespotët, historianët e llogjeve e agjentët e fuqive të mëdha, për të bërë kombin grek copë e çikë.

Vëllamët më të famshëm të Theodhor Kollokotronit ishin i krishteri Marko Boçari dhe myslimani nga Lala e Ilias, Ali Farmaqi. Me Ali Farmaqin, Kollokotroni harton planin e çlirimit të Moresë dhe sipas thënieve të vetë Plakut (shih kujtimet), projekti parashikonte një qeveri 24 anëtarëshe, me 12 të krishterë dhe 12 muslimanë. Flamuri i ri do të kishte nga njëra anë kryqin dhe nga tjetra gjysmëhënën. Por meqë sipas zakonit të kohës, Plaku Kollokotron shkruan për 12 “turq”, historianët tanë ‘gjenialë’ na interpretojnë se ai paskësh ndërmend të krijonte shtetin turko-grek! Dijeni pra, se shteti i tij do të ishte vetëm grek. Por asokohe, disave u interesonte që Greqia të kishte vetëm të krishterë, ndërsa Kollokotronit dhe popullit të tij i interesonte një komb me vetëm Qytetarë Grekë. Mbizotëruan të parët dhe u bënë kurban të dytët… Kjo është e vërteta e madhe që kemi asfiksuar, por duke e injoruar atë, nuk mund të mburremi pastaj se e njohim historinë neohelenike. Nuk ka shans të interpretojmë dot qindra e mijëra ngjarje e fakte të epokës revolucionare, para dhe pas saj, duke mbyllur sytë para kësaj të vërtete.

BASHKËLUFTËTARË TË KOLLOKOTRONËVE

Por përtej të afërmve natyralë dhe atyre të krijuar, edhe luftëtarët e Kollokotronëve, “asqerët” e tyre, ishin gjithashtu arvanitas, pa dallitn nëse qenë të krishterë apo myslimanë. Qoftë nga Morea, apo jashtë saj. Theodhor Kollokotronin do ta shohim me Ndretë e Moresë gjatë revolucionit të 1821-it. Pak vite më herët, kur ai lufton bashkë me Ali Farmaqin për ta çliruar Morenë, do të rreshtojë për këtë qëllim mbi tre mijë arvanitas çamë ngaThesprotia. Më të shumtët e tyre ishin myslimanë. Më vonë, kur të jetë në ishujt e Jonit, do të ndjekë “teknikën”arvanitase – kleft-si pirat i detit dhe do të hyjë në legjionin “greko-shqip-tar’’ siç e quajnë historianët. Tani, se cilët prej tyre ishin grekët e cilët shqiptarët, nuk do shumë mend për ta kuptuar, përderisa arvanitasve të krishterë u thoshin “grekë” dhe atyre myslimanë / shqiptarë”.

Ata çamë që u bashkuan me Kollokotronin, disa vite më herët kishin ardhur në More bashkë me famëkëqinjtë Beqarë për të mbytur me zjarr e hekur kryengritjen e nxitur nga Orlovët, por në vazhdim luftuan edhe kundër turqve. Pikërisht me këta çamë pra, ndaj të cilëve luftonte Kollokotroni, tani është bërë aleat për të njëjtin qëllim të përbashkët: të çlirojnë Morenë. Ndërsa laliotët, me të cilët në fillim ishte aleat, më vonë gjatë revolucionit do t’i linte në mëshirën e të krishterëve. Kështu erdhën punët: Luftrat e brendshme ishin rregull në këtë racën tonë. Bashkëveprimi për qëllimin e përbashkët ka qenë i rrallë, madje përjashtim nga rregulli për fat të keq. Por edhe kur athinasit, tebanët e spartanët luftonin kundër njëri-tjetrit, askush nuk pretendoi se njëri ishte grek, tjetri perso-grek e kështu me rradhë. Nëse nuk shohim historinë e re greke, në përpjekjen e vazhdueshme të këtij populli nga njëra për t’u bashkuar pavarësisht fesë, e nga ana tjetër luftën e brendshme ku e shtynin faktorët e jashtëm dhe dritëshkurtësia e vet, atëherë nuk kemi për të nxjerrë mësime.

TRADITA, ZAKONE, BESTYTNI

Duke lënë mënjanë kuptimet gjuhësore të mbiemrave të Kollokotronëve, përtej këtyre dokumenteve ekzistojnë edhe disa të tjera, njësoj të rëndësishme që i vënë vulën origjinës arvanitase të Kollokotronëve. Janë traditat dhe zakonet ende gjallë të tyre, që dëshmojnë për prejardhjen e padiskutueshme të heroit. Është veshja e tij me të nderuarën fustanellë, guna e hedhur krahëve dhe sidomos, është ajo skicë autentike e portretit të tij, e vizatuar në të gjallë nga koloneli francez Voutier, me atë“modë” të çuditshme – për ata që nuk e dinë – të kokës së rruar përpara, dhe bishtin e zgjatur luftarak të flokëve nga pas; një modë e pagabueshme arvanitase, siç shkruaja në numrin e kaluar të Besës. Po, kështu e rruanin kokën të gjithë Iuftëtarët arvanitas, qofshin muslimanë apo të krishterë. Dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë tendencë të dikurshme që e pëlqeu edhe jo-arvanitasi Kollokotroni për ta imituar. Jo, është një traditë e rrënjosur thellë, qoftë zakon apo bindje e brendshme, që siç kam shpjeguar, ka prejardhje të lashtë. Kur Ali pasha, duke synuar të uniformizojë forcat e tij dhe t’i “europianizojë” ato, urdhëroi zgjatjen e flokëve dhe braktisjen e kësaj mode të çuditshme, ushtarët ngritën krye dhe Aliu u detyrua ta anullojë urdhërin. Historianët e “nderuar” të shtetit të lirë grek, u përpoqën ta paraqesin Kollokotronin siç ua merrte mendja. Kurrë nuk u përmend në biografitë e mëpasme se ai ishte arvantas, se fliste arvanitishten apo diçka e tillë. Në të kundërt, sajuan ikonën e dëbuesit të pamëshirshëm të arvanitasve, pikërisht me këtë përfaqësues klasik të arvanitasve të Moresë! Nuk lanë makijazh pa i bërë figurës së tij, por ama ai nuk i lejoi t’ja ndryshonin një gjë të fundit: Atë qethje të lashtë luftarake arvanitase, që e mbajti të pandryshuar deri në fund të jetës, duke rrëzuar kështu të gjitha muret prej rëre që ngritën rreth tij demagogët.

Kollokotroni dinte edhe pak shkrim dhe fliste shkel e shko edhe greqishten zyrtare. Kështu, i njëjti na thotë në kujtimet e tij se libri i tij më i dashur ishte historia e Skënderbeut (“lexova për jetën e Skënderbeut. Vepra e tij më vuri në mendime…”). Nuk ka nevojë për shumë koment. Ata që u përpoqën të ndajnë arvanitët myslimanë nga ata të krishterët, duke i quajtur të parët “turkallvanos” dhe të dytët helenë, nuk dinin ç’të bënin me Skënderbeun, të cilin populli, të krishterë e myslimanë, e quanin hero kombëtar. Populli nuk bënte dallime të tilla. Kudo ku ka arvanitas, nga Azia e Vogël, në Ballkan, në Egjipt e Italinë e Jugut, e nderojnë Skënderbeun si heroin e tyre. Ndërsa ne, të bindur nga studiuesit tanë zulmëmëdhenj, vendosëm ta shkulim nga rrënjët dhe nuk lamë demonë bizantinë – shkatërrues të grekëve si Theodhosi – pa i ngritur në qiell.

INTERPRETIMI LOGJIK

Ta mbyllim me një arsyetim të përmbysur: Përderisa është fakt historik që epokën post-bizantine e vulos me praninë e vet elementi arvanitas – dhe unë personalisht mendoj se që atëherë duhet numëruar historia e re greke; përderisa e dimë se ata që u përballën me turqit pas shkatërrimit të Konstandinopojës janë arvanitasit, nga kryearhondi arvanitas i Manit Krokondhil Kladha; tek udhëheqës si Petro Bua Sklepa; që mbrojnë deri në fund Morenë të vetëm dhe disa syresh detyrohen të mërgojnë në Italinë e Jugut me shpresën e kthimit, duke kënduar të famshmen këngë nostalgjike “Moj e bukura More”; përderisa dhe Moreja e atëhershme mbiquhej Moreja arvanitase dhe banohej në shumicë nga arvanitas; atëherë shtrohet pyetja: Si dhe kur pushoi së qeni arvanitase Morea? Mos që kur arvanitët e Arkadisë, fjala vjen, pushuan së foluri gjuhën e tyre dhe i ndërruan mbiemrat arvanitas me prapashtesat zvogëluese -opulos dhe -pulos, që të mos duket se Morea është arvanitase? Epo, nëse në epokën e Kollokotronëve (1500-1800) Morea ka qenë arvanitase në mënyrë të padyshimtë, atëherë objekt vërtetimi nuk do të ishte nëse Kollokotroni është arvanitas, por nëse nuk është! Pra,dyshuesit e origjinës arvanitase te tij do të duhej të ofronin prova për të mbështetur pretendimin e tyre, dhe jo e kundërta.

Shumëçka na e kanë mbajtur fshehur, por e vërteta kërcen e del në shesh, prej andej nga nuk u shkon në mendje varrosësve të saj…/dita

Scroll to Top