Thesar i kulturës/ Vallja devolliçe e burrave në UNESCO
Vallja devolliçe, një valle burrash e zonës së Devollit e konsideruar nga thesaret folklorike më të mëdha të vendit është shpallur “Kryevlera kombëtare e trashëgimisë kulturore jomateriale” nga Ministria e Kulturës.
Pas një pune disavjeçare për të plotësuar dosjen e kësaj valleje statusi i ri i hap rrugën përpjekjeve për ta bërë atë pjesë të listës së UNESCOS.
Për vite me radhë kjo valle është luajtur në çdo gëzim familjar, eveniment dhe moment të rëndësishëm ndërsa në vitin 1957 në Festivalin Ndërkombëtar të folklorit në Moskë, midis 135 vendeve, grupi i Valles Devolliçe fitoi Çmimin II.
Agron Kordalli djali i një prej valltarëve që interpretuan në Rusi vazhdon të ruajë këtë traditë dhe e përcjell edhe tek brezat e rinj ndërsa shpjegon se kjo valle që është simbolikë e mirënjohjes së njeriut për tokën ndryshon nga të tjerat.
Megjithëse konsiderohet një ndër vallet më të vështira dhe komplekse në interpretim vallja devolliçe luhet në të gjithë zonën e Devollit nga çdo moshë dhe mbetet një ndër perlat e krijimtarisë popullore shqiptare.