Hipokrizia e padurueshme e një teatri: Bashkë ishin, bashkë janë e bashkë do të jenë!
Po përse “o dele” çfarë kujtuat ju, se ne do ta reformonim Drejtësinë deri në atë shkallë, sa të binim edhe vetë brenda në çarkun e saj?! Delet pas i kemi pasur dhe pas do ti kemi edhe në të ardhmen, për sa kohë na mbështesin “në kokorroçëritë tona”…
Hipokrizi është fjala që përmbledh më saktë dhe më mirë gjithçka, që është luajtur dhe vijon të luhet nga klasa/kasta/glasa e jonë politike në skenën e Teatrit Absurd të DEMON-KRACISË. Tre fotot e mëposhtme pas fotos sime, qartazi na përcollën me kohë mesazhet se:
1- Bashkë ishim që në mitingun e parë të PD-së, te ish-stadiumi “Qemal Stafa”,
2- bashkë ishim që në çastet e para të pas tragjedisë së Gërdecit në 15.03.2008, mbështetje që i parapriu “atentatit të ndryshimeve kushtetuese” të 21.04.2008, dhe
3- bashkë do të vijojmë të jemi dhe të mbështesim njëri-tjetrin, në rrënimin e mëtejshëm të Demokracisë në vend dhe në vijimin e zhagitjeve tollovitëse të Shqipërisë së këndej Drinit në udhëkryqin e saj.
“AJO PUNA E REFORMËS NË DREJTËSI” ishte thjesht një lojë? Në vazhdën e pseudo-Reformave të mos-reformimit të vendit drejt një sistemi socio-ekonomiko-politik të vërtetë demokratik?
Po përse “o dele” çfarë kujtuat ju, se ne do ta reformonim Drejtësinë deri në atë shkallë, sa të binim edhe vetë brenda në çarkun e saj?! Delet pas i kemi pasur dhe pas do ti kemi edhe në të ardhmen, për sa kohë na mbështesin “në kokorroçëritë tona” dhe shumëpak shohin faktet:
– se bijtë e bijat u kanë tharë vatrën familjare,
– se dita-ditës vendi po zbrazet,
– se kostoja e jetesës vetëm rritet dhe populli vetëm e vetëm varfërohet,
– se kemi pensionet më të ulëta në rajon dhe në të tërë Europën,
– se paguajmë rreth 60% të kostos së shërbimeve shëndetësore direkt nga xhepat, në një vend ku “shëndetësia u premtua të ishte falas”,
– se po paguajnë punë të pakryera ose të pa nisura fare,
– se e paguajnë çdo kilometër rrugë disa herë më shumë se në çdo vend të botës,
– se mbajnë me paga dhe trajtime për ti pasur zili, një PARLA-PA-MENT prej 140 deputetësh, të cilët në shumicën e tyre as emri nuk i dihet e jo më të luftojnë aty për interesat e votuesve të tyre,
– se paguajnë për mbledhjet e Qeveriut nëpër resorte, ndërkohë që ka ndërtesa publike për organizimin e tyre,
– se “po zgjidhim hallet e Ukrainës”, por një fjalë të vetme se e themi për hallet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës,
– se premtuam 300.000 vende pune që në “mandatën” e parë të Rilindjes 2013-2017, por në këto 11 vite edhe mbi 770.000 shqiptarë të tjerë janë larguar nga vëndi
– se “do vidhnim më pak se këta”, por “ja që na u prishën frenat e dorës”, sapo morëm pusht-shtetin dhe turravrapi i makinës së korrupsionit nuk po ka të ndalur, aq më keq se “shumica e të korruptuarve i hanë dardhat e kleptokracisë e të korrupsionit pas shpinës së KM”, dhe ai vetë nuk është fajtor për zgjedhjen e tyre në pozita kyçe të qeverisjes së vendit,
– se u ngritën në Dhjetor 1990 për të përmbysur një Sistem diktatorial, dhe jo për ta zëvendësuar atë me një Sistem Autokratik/ Partitokratik/ Kryetarokratik pas ndryshimeve kushtetuese të 21.04.2008, të bëra në dakordësi të plotë mes Ramës e Berishës.
– se të drejtuar e yshtyr prej kësaj klase/ kaste/glase politike i nxorëm gurëthemelet gjithçkaje që ndërtuam me mund, gjak e sakrifica për 45 vite, duke e lënë veten të pa punë pas shkatërrimit të mbi 550 objekteve industriale, të minierave, të veprave ujitëse e kulluese bujqësore, të plot hekurudhave, të mjaft shkollave e spitaleve, etj.
– se duke marrë mëntë e tyre dhe të patronëve të tyre jashtë vendit, NE e lamë Shqipërinë e këndej Drinit pa mbrojtje e siguri, sa edhe “kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviç” të tallej e të shprehej se “e pushtonte për tre orë Tiranën me klubin e gjahtarëve të Beogradit”….
– se jemi i vetmi anëtar i NATO-s pa një grykë topi, pa një tank dhe pa një aeroplan luftarak, kur para 1991 kishim qindra e mijëra të tillë, të cilët ende sot përdoren në fushëbetejat kudo në botë.
– se po harrojmë që në krye të pasurimit pa fre të vendit, në krye të punëve të “dovletit” kemi dhe vijojmë të mbajmë ata, që “Të pabukë i gjeti dita, dhe milionerë i zuri nata” (Ali Asllani), të cilët nukë kanë kufij nginje në pasuri,
– se duket që e kemi harruar plotësisht në emër të “Ballkanit të Hapur” i ideuar nga Boshti strategjik Moskë-Beograd, i cili fatmirësisht u mbyll ende pa u hapur, vetë AMANETIN e Baballarëve të Kombit kur i shpallën të mëvehtësuara Trojet Arbërore, për Bashkim Kombëtar,
-se Kosovë dhe Shqipëri apo Shqipëri e andej dhe e këndej Drinit janë një dhe të pandara, ndaj nuku ka pse të ketë kufij ndarës mes nesh, sidomos të ekzistojë absurditeti i traut me pagesë 5 euroshe, për një Rrugë të ngritur plotësisht me fonde publike,
– se DUHET së pari si Shqiptar të ngrihen dhe të kërkojnë të mirëjetojnë e të mbrothësojnë, në një vend me pasuri të pafundme mbi dhe nëntokësore të pafundme, në një “Vënd të bekuar nga Perëndija, por të mallkuar nga vetë ne njërëzia” (FK), ku ata frymojnë ndërshekuj.
BOLL më Bashkëkombas të Shqipërisë së këndej Drinit me militantizëm partiak!
MENDONI dhe PUNONI një herë të vetme për veten, për fëmijët e familjen, si dhe për komunitetin ku frymoni, sepse SHQIPËRIA jonë mund dhe meriton të BËHET një kryezonjë në Gadishullin Ilirik.
POLITIKANËT e sotëm të të dy krahëve të politikës kurdoherë do ta gjejnë fjalën e pazareve në mes tyre, për ti zgjatur kohën pusht-shtetit të rradhës si dhe vijimësisë së grabitjes së popullit nga ana e tyre. / PAMFLETI