Publikohet videoja ku Radoiçiqi grushton ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut
Në një video të siguruar nga RTK, Millan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist të armatosur të Serbisë më 24 shtator të vitit kaluar në fshatin Banjskë, shihet duke grushtuar brutalisht Aleksandar Spiriq, ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut. Sipas burimeve të RTK-së, ngjarja ka ndodhur kohë më parë në hotelin “GREY” në Kopaonik, që është pronë e Millan Radoiçiqit.
Millan Radoiçiqi, udhëheqësi i agresionit të grupit terrorist të armatosur të Serbisë më 24 shtator të vitit kaluar në fshatin Banjskë, mësohet se po zbaton një fushatë të egër ndaj serbëve që i dalin kundër interesave të tij biznesore, por edhe atyre politike.
Aleksandar Spiriq ka ushtruar detyrën e kryetarit ilegal të Mitrovicës së Veriut nga viti 2020 deri në vitin 2023.
Radiotelevizioni i Kosovës ka tentuar të vejë kontakt me z.Spiriq, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.