Detajet nga dosja tronditëse që nxjerr të gjitha tradhtitë anti-shqiptare të Berishës ndaj Kosovës: Ja si u përdor Azem Hajdari…Të fshehtat nga ’97 dhe dora “sekrete” në Gërdec dhe vrasjet e 21 janarit
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Asim Bedalli, i cili jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka reaguar ashpër, teksa i ka numëruara të gjitha krimet dhe mëkatet ish-kryeministrit Sali Berisha. Përmes një rrëfimi të gjatë për gazetën “SOT”, shkrimtari dhe analisti i njohur cek disa nga ngjarjet më të bujshme të ndodhura në Shqipëri në këto 30 e ca kusur vitesh demokraci, teksa hedh akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ja reagimi i plotë i zotit Bedalli
Shkas për këtë shkrim u bë debati i ashpër politik që po zhvillohet këto ditë, pas marrjes nën hetim të Sali Berishës nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), si edhe masa me arrest shtëpie që ju dha nga Gjykata e Posaçme. Duke ndjekur diskutimet që po zhvillohen, disa duke anatemuar disa mite që janë kthyer gati në tabu, të krijohet përshtypja se janë gati ti hedhin poshtë të gjithë. Mitet janë në themelet e kulturës së popujve. Ato lindën në agimin e njerëzimit, si pjese e përpjekjeve të njerëzve për të shpjeguar fenomenet e botës qe i rrethonte dhe ato sociale qe përjetonin, kur akoma nuk kishin lindur filozofia e shkenca.
Të gjithë popujt kanë mitet e tyre, por gadishulli ynë i ka me tepricë dhe me to është spekuluar më shumë se kudo tjetër. Edhe fjala mit vjen nga një prej popujve të saj, nga greqishtja “mythis”, që do të thotë fjalë, tregim për ngjarjet e personazhet e rëndësishme që i kane shoqëruar popujt gjatë të gjithë rrugëtimit të e tyre historik. Kështu ndodhi edhe me popullin tonë. Në rrugëtimin e tij të vështirë të formimit si komb, historia, kultura, në kuptimin e gjerë të fjalës, fillimisht u treguan në formën e miteve dhe u ruajt dhe u transmetua nga një brez tek tjetri në formën gojore. Por me mitet, janë bërë e bëhen shumë spekulime.
Duke pasur një pushtet të fortë mbi emocionet njerëzve, ato janë përdorur e vazhdojnë të përdoren nga politika për interesat e saja. Mitet mbi të cilët janë bërë më shumë manipulime janë mitet politike. Këtë po vëmë re ne diskutimin politik të këtyre ditëve. Në tregun mediatik, për të mbrojtur Berishën, janë hedhur shumë mite politike mbi figurën e rrolin e tij në historinë politike të këtyre 33 viteve të post diktaturës. Midis tyre ka edhe zëra të njohur të medias tonë, të cilët megjithëse pranojnë disa nga gabimet e tija politike, përsëri e vlerësojnë si ” Burrë shteti”, si njeriun që ” ka drejtuar partinë e parë opozitare në vend e cila përmbysi diktaturën komuniste…”,” hodhi shinat e kapitalizmit”, ” burri që ka bërë histori në këto 33 vite…”… Le ti marrim ti analizojmë me radhë disa prej tyre.
Rrëzimi i diktaturës komuniste në vitet ’90
Thuhet se Partia Demokratike “rrëzoi diktaturën, komunizmin”. Ky është një mit krejtësisht i rremë, një shtrembërim flagrant i historisë. Është një fakt katërcipërisht i njohur nga populli ynë dhe i pranuar botërisht që rrëzimi i diktaturës komuniste ishte vepër e Studenteve të Dhjetorit të vitit 1990. Në ato ditë për rrethanat e detyrës qe kryeja e kam përjetuar nga afër stuhinë e Lëvizjes të Studentëve kundër diktaturës, deri në rrëzimin e saj. Në librin “Dështimi i një Sistemi”, botim i vitit 2023, unë e përshkruaj ashtu si e pashe dhe e përjetova këtë moment historik: “Protesta shpërtheu në natën e 8 dhjetorit 1990 dhe nga ai moment ngjarjet do të zhvilloheshin me një intensitet të jashtëzakonshëm deri në 11 dhjetor, pre tu kurorëzuar më 12 dhjetor me formimin e Partisë Demokratike që shënoi njëkohësisht edhe fillimin e pluralizmit politik ne vendin tonë.”
Pra e kundërta është e vërtetë. Partia Demokratike është pjellë e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit të vitit 1990. Midis anëtarëve të parë te grupit nismëtarë për krijimin e Partisë Demokratike ishin studentë që u shquan në lëvizjen e studentëve të dhjetorit ’90 dhe disa nga pedagogët që ju bashkuan që në orët e para protestës së studentëve. Kryetari i parë i saj ishte njeri prej këtyre studentëve, Azem Hajdari. Po aq i rremë është miti i ngritur rreth Berishës, si “lideri historik” i Partisë Demokratike. Sali Berisha gjatë ditëve që zhvillohej protesta e studenteve të dhjetorit ishte një nga të dërguarit e Ramiz Alisë në bisedimet me përfaqësuesit e tyre.
Ai nuk ishte as midis intelektualëve të parë që ju bashkuan procesit të krijimit Partisë Demokratike. Siç thamë, kryetari i parë i Komisionit nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike u zgjodh Azem Hajdari. Edhe në zgjedhjet e dyta, kur Berisha ishte kuptuar ne Komisionin për krijimin e Partisë Demokratike, kryetar i Komisioni Nismëtar u zgjodh Aleksandër Meksi. Ndërkohë Berisha thurte plane për të dalë në krye të Komisionit Nismëtar. Dhe kësaj ai ja arriti fal përvojës së tij si sekretar i PPSH dhe ndihmës i Azem Hajdarit. “Merita” e Berishës është kthimi i Partisë Demokratike nga përfaqësuese e aspiratave të studentëve të dhjetorit, në një parti antidemokratike e radikale.
Filozofia politike e Berishës, që nuk njihte mendimin ndryshe, që kundërshtarin politik e konsideronte armik, që demonizonte opozitën, që si armë politike kishte politikën e luftës, u bë filozofia udhëheqëse e Partisë Demokratike. Para se të bëhej autokrat i popullit të tij, ai u bë autokrat i Partisë Demokratike. Gjatë të gjithë jetës së tij politike Sali Berisha e ka përdorur Partinë Demokratike për interesat e pushtetit te tij dhe të familjes. Pa shkuar larg, mjafton të shohësh si është katandisur Partia Demokratike dhe si po e përdor atë Berisha për hallet që ka ai dhe familja e tij me drejtësinë.
Ngjarjet e 1997, grusht i shtetit i ’98 dhe masakra e “21 janarit”
Miti i “Burrit të shtetit” për Berishën mendoj se është miti më i rremë. Dëshiroj t’u bëj një pyetje atyre që e përsërisin shpesh ketë tezë: Çfarë kanë parasysh kur e vlerësojnë si “burrë shteti” Sali Berishën? Thënien e tij primitive “jam Sali Berisha unë, ej”, që të kujton bajraktarët e dikurshëm. Apo marsin e vitit 1997, kur rrëzoi shtetin, si asnjë tjetër më parë, për të mbrojtur pushtetin e tij. Apo shtatorin e vitin 1998, që për herë të dytë rrëzoi shtetin, duke sulmuar e pushtuar institucionet e tija me paramilitarët e turmën e militantëve fanatike të Partisë Demokratike, për të rivendosur me forcën e dhunës pushtetin që e kishte humbur nëpërmjet votës së lirë të popullit ne qershor të vitit 1997.
Ndoshta konsiderojnë “burrëri” 21janari i vitit 2011, kur me urdhrin e tij politik u ekzekutuan para Kryeministrisë katër protestues paqësorë. Apo qëndrimin e tij që jo vetëm nuk ka kërkuar falje për krimin shtetërorë të 21 janarit, por vazhdoi të mburret se nuk do hezitonte të përsëriste 21 janarin e vitit 2011 nëse përsëritej e njëjta demonstratë. Thonë se Berisha “ka bërë histori”?! Ndoshta në një farë kuptimi ka bërë “histori”, por gjithmonë histori të dhimbshme për popullin tonë. Një histori e dhimbshme është ajo e marsit 1997 që për të mbrojtur pushtetin e tij nuk hezitoi të derdhte kundër popullit, bandat e SHIK-ut e paramilitarët e Partisë Demokratike, ushtrinë me tanket e avionët luftarakë, duke shkaktuar mijëra të vrarë e të plagosur.
Tragjedia e “Gërdecit”
Një histori tjetër e dhimbshme për popullin tonë, gjithmonë me autor Sali Berishën, ishte tragjedia e Gërdecit, një nga aferat më të mëdha korruptive të pushtetit të tij. Për të kënaqur babëzinë e djalit të tij e të familjes, ai instaloi në Gërdec fabrikën e vdekjes, ku në 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosëm qindra të tjerë. Ka një mit të rremë mbi rrolin e meritat e tija në çështjen kombëtare e sidomos në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Këtë mit të krijuar nga ai vetë dhe bashkëpunëtorët e tij, gazetarë e analistë në shërbim apo afër tij, ai e përdori si argument për tu mbrojtur nga deklarimi si “person non grata” nga Departamenti i Shtetit të SHBA. Sipas tij shpallja si “person non grata” ishte si ndëshkim për kundërshtimin e tij të idesë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me Serbinë, nëpërmjet shkëmbimit të territoreve. Një argument absurd, siç është i aftë vetëm ai ti stisi e ti përdorë. Kjo ide nuk u shtrua në asnjë tavolinë diplomatike si alternativë për diskutim. Pa folur se në këtë kohë Berisha nuk përbënte ndonjë faktor relevant në politikën shqiptare, që të ndikonte në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ishte thjeshtë një deputet i opozitës. Pa i bërë një analizë shteruese këtij miti të rremë, më poshtë do të japin shumë shkurt disa nga momentet më pikante se si e ka trajtuar Berisha çështjen kombëtare, sidomos atë të Kosovës, që në fillimet e karrierës së tij politike.
Raportet me Kosovën
Rënia e murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 dhe ribashkimi i Gjermanisë një vit më vonë, në 3 tetor 1990, si edhe fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë, zgjuan shpresat të mëdha tek shqiptarët për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Por në Konferencën e Paqes për Jugosllavinë që u mblodh në shtator të vitit 1991, nuk u ftua faktori shqiptar, duke e lënë zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi brenda kuadrit të Serbisë. Kjo situatë vuri në lëvizje një grup intelektualësh të shquar patriotë shqiptarë, në të dy anët e kufirit shtetëror, të cilët krijuan në muajin shtator 1991 një Komision Nismëtar të përbashkët për përgatitjen e një “Kuvendi Per Pajtimin e Bashkimin Kombëtarë”, ku do të ftoheshin përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës Preshevës. Qëllimi madhor i këtij Kuvendi do të ishte unifikimi i faktorit shqiptar përballë këtyre ngjarjeve të rëndësishme për të ardhmen e çështjes kombëtare.
Pa u ndalur në peripecitë e realizimit te kësaj nisme madhore, të cilat unë i kam trajtuar në librin”Dështimi i Një Sistemi”, Komisioni Nismëtarë vendosi që ” Kuvendi Për Pajtimin e Bashkimin Kombëtar” të zhvillohej gjatë muajit shkurt në Tiranë. Për këtë qëllim erdhi në Shqipëri në ditët e para të muajit shkurt përfaqësia e intelektualëve të shquar kosovarë me në krye akademikun Rexhep Qosja, në përbërja të të cilit ishin shkrimtari Ramiz Kelmendi, profesor Idriz Ajeti etj. Nga pala e Shqipërisë ishin profesor Petro Lalaj, akademiku Teki Tartari, profesor Rexhep Mejdani. zv/rektori i USHT, Halil Sykja etj.
Që të nesërmen e ardhjes së pjesës kosovare, Komisioni nismëtar filloi takimet me faktorët shtetërorë e spektrin politik të Shqipërisë. Qeveria Teknike i afroi gjithë mbështetjen logjistike për zhvillimin me sukses të Kuvendit. Edhe faktori politik, partitë shqiptare e mbështetën plotësisht idenë e mbajtjes së Kuvendit kombëtar. Vetëm Sali Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, e kundërshtoi.
Përfaqësuesit e Komisionit nismëtar zhvilluan në datën 8 shkurt takimin e parë me Berishën, i cili rezultoi pa sukses. Edhe në takimin e dytë që zhvilluan me Berishën, ai e kundërshtoi zhvillimin e “Kuvendit Për Pajtimin e Bashkim Kombëtar”. Pas dështimit të kësaj nisme madhore të intelektualëve të shquar e patriotë shqiptarë, bota nuk na dëgjoi të flasim asnjë herë, në një zë, si komb i vetëm e i pandarë. Edhe më pas qëndrimet e Berishës ndaj çështjes kombëtare vazhdojnë në të njëjtën linjë. Le ti referohemi disa fakteve madhore. Gjatë vitit 1994-1995 ai thyen embargon e OKB ndaj regjimit të Millosheviçit.
Gjatë kësaj periudhe Berisha do ta furnizonte makinën ushtarake të Millosheviçit me 400-600 ton naftë në ditë, të cilën ky i fundit e përdori për të shtypur rezistencën e popullit kosovar e në luftërat e shovinizmit serbomadh kundër popujve të tjerë të ish Jugosllavisë, për të realizuar ëndrrën e çmendur për dominim. Ish presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatovic ka deklaruar hapur në kujtimet e tij, se ata kishin me Berishën një marrëveshje për thyerjen e embargos të OKB. Të njëjtën qëndrim vazhdoi të mbaje Berisha ndaj çështjes kombëtare edhe kur doli ne opozite. Ne momentet kur në Kosovë kishte filluar rezistenca e armatosur kundër dhunës barbare të makinës ushtarake serbomadhe ndaj popullit kosovar dhe ata kishin nevojë për mbështetjen e shtetit Shqiptarë, ai ndërmori më 14 shtator 1998 sulmin kundër institucioneve të shtetit dhe pushtimin e tyre, duke rrëzuar për herë të dytë shtetin shqiptar.
UÇK e konsideroi këtë një thike pas shpine për popullin kosovar dhe bëri përgjegjës drejtpërsëdrejti Sali Berishën. Me pas në momentet kur në Rambuje të Francës, ne muajin shkurt-Mars të vitit 1999, po vendosej fati i Kosovës, ai e këshillonte delegacionin Kosovar që të mos nënshkruante marrëveshjen e përgatitur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të mëdhenj të çështjes shqiptare, që do të ishte fatale për fatet e Kosovës. Nënshkrimi i saj në datën 18 mars 1999 i hapi rrugën ndërhyrjes së Nato-s në 24 mars 1999, që çoi në çlirimin e Kosovës nga sundimi fashist serbomadh. Mitet, përfshirë edhe ato politikë, kur lartësojnë ngjarje e heronj të vërtetë të historisë së popullit tonë, qe i kanë shërbyer çështjes kombëtare, zhvillimit e përparimit të shoqërisë, janë të nevojshme, sepse i frymëzojnë njerëzit në veprimtarinë e tyre të përditshme. Të tilla janë ngjarjet dhe heronjtë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), Adem Jashari e të tjerë, që përpara se të mendonin për vete, menduan për Atdheun, për lirinë e pavarësinë e tij. Për brezin e sotëm mitike është ajo që bënë bashkëmoshatarët e tyre në dhjetorin e vitit 1990 dhe jo ata që spekuluan e vazhdojnë të spekulojnë mbi ato ngjarje për interesat e tyre politike e personale.