Thesari i Vrapit, më i vlefshmi i gjetur ndonjëherë në Shqipëri
Thesari i Vrapit është ndoshta më i vlefshmi i gjetur ndonjëherë në Shqipëri. U zbulua në vitin 1901 në fshatin Vrap të Tiranës, nga vëllezërit Murat e Ali Biceri dhe vëllezërit Met e Mustafa Mema në arën e këtij të fundit.
Mendohet se thesari i përket shekullit të VI dhe se ka qenë pronë e avarëve, të njohur si bullgaro-sllavët, që pushtuan provincat romake, pas rënies së Perandorisë Romake dhe lindjes së Perandorisë Bizantine.
Thesari përbëhet nga 41 objekte, 35 prej ari dhe 6 prej argjendi të tilla si kupa, kapakë, pafta rripi katërkëndëshe me grifë, gjuhëza rripash.
Pesha totale e tyre është 6.9 kg: 5,5 kg objekte ari dhe 1.4 kg. argjendi. Pjesa më e madhe e sendeve të gjetura gjenden në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, të lëna me testament nga Xhon Pierpont Morgan.
Bankieri i njohur e kishte blerë thesarin në vitet 1902-1907 me ndërmjetësinë e konsullit austriak në Durrës, Remi von Kuatkovski.
Nga thesari vetëm një kupë ari shkoi në Muzeun Arkeologjik të Stambollit dhe një tas ari në Galerinë e Arteve Walters në Baltimore.
Thesari është studiuar nga arkeologu gjerman Joachim Werner, i cili erdhi në Shqipëri, vizitoi fshatin Vrap më 7 korrik 1982, dhe në 1989 botoi në Vjenë librin “Thesari i Vrapit në Shqipëri”. (Adi Darsi)