“Mendon se jam pedofil të martohem me një kalama?” – Neritan Ceka tregon si e njohu bashkëshorten
Neritan Ceka ka rrëfyer në “Quo Vadis” se si është njohur me bashkëshorten e tij Linën. Ai tha se “sebep” ishte bërë një shoku i tij bashkë me motrën, të cilët kishin këmbëngulur që ai dhe Lina të takoheshin.
Neritan Ceka: Një shoku im, Kasem Biçoku, me të cilin kemi qenë të pandashëm, më thotë kam parë një vajzë që është shumë e mirë për ty, vajza e profesorit tonë Skënderit, i cili ka qenë njeri shumë i mirë. Na ftonte për kafe dhe nuk na linte të paguanim. Ka patur dhe një motër, Lizën, shoqe shumë e ngushtë e cila punonte me ne fakultet, por na dukeshin si kalamaj.
Pranvera Borakaj: Ju kishit një diferencë?
Neritan Ceka: Po kishim një diferencë prej 13 vjetësh. Kur shkuam për ta takuar, ishte një organizim midis Lizës dhe Kasemit, dhe kur e pashë natyrisht më pëlqeu. por mu duk shumë e vogël.
Pranvera Borakaj: Ju nuk e kishit parë asnjëherë?
Neritan Ceka: Jo nuk e kisha parë asnjëherë, por ajo më kishte parë. Më kishte parë në autobus kur po shkoja në Kinostudio ku po përgatisja një dokumentar për arkeologjinë. Më tha kur të pashë, siç kam qenë sportiv, kujtova se ishe ndonjë regjisor.
Kur u ndamë i thashë Kasemit, çfarë mendon, se jam pedofil të martohem me kalama? Jo more më tha, nuk është kalama, është në vitin e parë të fakultetit. Filluam një njohje dhe mund të them se rashë në dashuri me Linën dhe që nga ajo kohë vetëm është shtuar.