Të pavdekshëm në krijimtarinë e tyre, artistët që humbën jetën në vitin 2023
2023-shi, një vit ku shumë artistë të mirënjohur humbën jetën, artistë, të cilët me artin e tyre lanë gjurmë dhe trashëgimi të madhe dhe me vlerë për vendin tonë.
Është e vështirë të vendosësh një foto bardhë e zi për ta, për shkak të ngjyrave që i kanë dhënë ekranit, librave, veprave të artit apo pikturave. Më poshtë janë disa nga artistët të cilët humbën jetën gjatë vitit 2023, për të lënë në kujtimet tona krijimet e tyre të pavdekshme.
Mimika Luca humbi jetën në moshën 85-vjeçare
Aktorja e mirënjohur shqiptare Mimika Luca (24 dhjetor 1937 – 21 shkurt 2023) lindi në Gjirokastër. Ajo interpretoi në skenën e Teatrit dhe Operas si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama, Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themet etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrec Luca. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institulin e lartë të Arteve, dega dramë.
Nikolla Spathari humbi jetën në moshën 83-vjeçare
Shkrimtari dhe publicisti Nikolla Spathari (5 dhjetor 1940 – 26 qershor 2023) la pas një veprimtari të madhe prej 30 librash të botuar. Shkrimtari, i lindur në 5 dhjetor 1940 në Malësinë e Madhe, në karrierën e gjatë është marrë me poezi, prozë, publicistikë, studime. Ai është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me titullin “Mirënjohja“ e qytetit të Durrësit, ndërsa ka marrë çmimet: “Mark Tuen“, “Migjeni“, “Dritëro Agolli“ dhe “Xha Deralla“. Artisti ka shtrirë veprimtarinë e tij edhe në gazetari, ku është angazhuar si kryeredaktor i gazetës “Besa” në Shkodër dhe i gazetës “Pena” në Durrës.
Agim Rada humbi jetën në moshën 70-vjeçare
Skulptori i rrallë Agim Rada (24 maj 1953 – 11 korrik 2023) mbylli sytë pasi pasi prej disa kohësh mjekohej nga një sëmundje e rëndë. Një nga veçoritë e tij është që vazhdonte punën sikur asgjë nuk kishte ndodhur dhe rikthehej në studio me forcë të madhe për të vazhduar projektet e lëna në mes dhe ekzistencën e vet si artist. Punimet e tij përfshin statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufrit, Petro Marko, Mid’ht Frashëri, Lasgush Poradeci etj. Rada e ndiente veten shumë krenar, edhe për veprat e tjera, disa prej të cilave i kishte aktualisht ka në duar, si Sali Butka, Skënderbeu, Fan Noli etj. Ai asnjëherë nuk pranoi të gdhendë figura të politikës, por sipas tij në studion e tij kishin vend vetëm mendimtarët. Figurat e Radës janë figura të kombit.
Vangjel Gjikondi humbi jetën në moshën 60-vjeçare
Piktori Vangjel Gjikondi (20 gusht 1958 – 25 korrik 2023) studioi në Institutin e Lartë të Arteve. Pas studimeve punoi në Kinostudion “Shqipëria e re”, fillimisht në repartin filmave vizatimorë për disa muaj e më vonë si piktor kostumesh në filmin artistik. Ka qenë piktor në shumë filma, si “Duaje emrin tënd”, “Nxënësit e klasës sime”, “Treni niset në 7 pa 5”, etj. Vangjel Gjikondi ka qenë një piktor mjaft aktiv duke marrë pjesë në ekspozita vetjake e kolektive, si dhe në kolonitë e piktorëve. Por do të kujtohet veçanërisht për ciklin e tij të 55 tablove kushtuar Skënderbeut, duke prekur të gjitha etapat e jetës së tij, që nga pagëzimi e deri në vdekjen e heroit. Për këtë cikël tablosh Gjikondi punoi 10 vjet, duke sjellë figurën e tij sa më njerëzore, larg madhështisë së realizmit socialist.
Lutfi Hoxha humbi jetën në moshën 89-vjeçare
Aktori Lutfi Hoxha (1 qershor 1934 – 10 shtator 2023) një nga kolosët e roleve dytësore në kinematografinë shqiptare dhe një nga aktorët themelues të teatrit profesionist të Durrësit. Publiku e ka mirëpritur me duartrokitje interpretimin dhe atë që përçon nga vetja ndërsa ngjitet në skenën e teatrit apo luan role kinematografike. Ai kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Nisi të merret me teatër që kur ishte amator në grupin e Kantierit Detar ku spikati talenti dhe aftësia e tij për të krijuar karaktere. Në estradën e ushtrisë u shqua sidomos për monologët e tij të realizuar me vërtetësi dhe plot humor. Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Dalja në pension nuk i solli apati profesionale, përkundrazi. Vijoi t’i përgjigjet ftesave të regjisorëve. Luajti në “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, “Trokitje në dyert e dhimbjes” nga Serafin Fanku, monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, në komendinë “Dy vëllezër e gjysmë”, si dhe në Teatrin Kombëtar “Korbi i bardhë”.
Xhevat Qorraj humbi jetën në moshën 76-vjeçare
Aktori Xhevat Qorraj ( 1947 – 23 gusht 2023) njihet më shumë për filmat: “3 dritare dhe një varje”, “Eternally Child” dhe “Memory”. Qaorraj mori pjesë edhe në serialin “Rrushe” me rolin e Farukut. Nga viti 1972 ai punoi si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dikur Teatri Popullor Krahinor, ndërsa ka realizuar 60 role në kinematografi dhe teatër. Qorraj i përket gjeneratës së parë të aktorëve kosovarë. Ai gjithashtu nga viti 1972 është punësuar si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dikur Teatri Popullor Krahinor, teksa ka realizuar 60 role në kinematografi dhe teatër.
Bahri Beci humbi jetën në moshën 60-vjeçare
Akdemiku dhe gjuhëtati Bahri Beci ( 6 mars 1936 – 20 gusht 2023) ka një veprimtari shkencore të shtjelluar në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të gjuhës letrare, të historisë së gjuhës, si edhe të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike për më shumë se 6 dekada. Anëtar i shumë asociacioneve kombëtare e ndërkombëtare. Për punën e tij ka marrë medalje nga Kuvendi dhe nga Presidenti i Republikës. Djali i tij është kryenashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Nga shtatori i vitit 1958 e deri më 1977 u emërua Punonjës Shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Ndoqi dhe kreu studimet pasuniversitare në Paris (1975-’77), ku mbrojti tezën e doktoraturës. Më 1979 ka marrë gradën shkencore “Kandidat i shkencave” për disertacionin “Të folmen e gegërishtes qendrore” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” në Shqipëri.
At Arthur Liolin humbi jetën në moshën 80-vjeçare
Artur Evans Liolin ( 19 qrershlr 1943 – 29 shtator 2023) lindi në Neë York, në një familje me origjinë korçare nga Baboshica, kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA. At Artur Evans Liolin përveç aktivitetit fetar, ka edhe një aktivitet të madh humanitar e diplomatik në dobi të Shqipërisë si dhe mjaft studime për të : “Shqipëria – enigmë evropiane”, “Fan Noli dhe vetëdija shqiptare”, “Shoqëria shqiptare – riformim dhe gjetje”, etj. Ai ishte zë i fortë i shqiptarëve, ndërsa ka shkruar një sërë artikujsh rreth çështjes shqiptare në gazetën “Dielli,” dhe nëpër revista te ndryshme si Illyria. Në vitin 1970 u dorëzua në gradën priftërore në Boston ku i ka shërbyer bashkësisë shqiptaro-amerikane. Ai ka organizuar Bibliotekën e Fan Nolit, pranë Katedrales së Shën Gjergjit në Boston. Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikës. Në vitin 1991 Atë Liolion beri nje udhetim te rendesishem dhe te paharruar, ne atdheun e te pareve te tij, ku drejtoi mesha ne kasha ortodokse në 22 qytete të Shqipërisë.
Vladimir Prifti humbi jetën në moshën 81-vjeçare
Regjisori Vladimir Prifti ( 1 qershor 1942 – 5 nëntor 2023) njihet si Regjisor i analizës psikologjike, i gdhendjes së karaktereve, që iu largua klisheve të kohës, Prifti ka lënë pas një shkollë për filmin shqiptar. Ai punoi si asistent regjisor në teatër, në I974 filloi punë si regjisor në TVSH. E nisi në mënyrë premtuese me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë nga Pirro Mani “Gjenerali i ushtrisë‘ së vdekur” (I976) duke e shndërruar kodin e shfaqjes teatrore në gjuhën specifike të filmit televiziv, pa e humbur cilesinë artistike. Në këtë udhë vijoi edhe me filmin “Kur hidheshin themelet” (I978), sipas dramës së KoIë Jakoves “Lulet e Shegës”. Filmi i tij i parë artistik origjinal ishte “Udha e shkronjave” (I978), nderuar me çmim të veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar dhe me çmim të Republikës të shkallës së parë. Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000–2004, ndër to: “Te bekuarit”, “Legjenda e baltës”, “Rruga Egnatia”, “Butrinti”. Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe te trilluara. FiImi fitoi çmim të veçantë në Festivalin X Ndërkombëtar te Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë. Vladimir Prifti mbante edhe rolin e pedagogut te jashtëm ne Akademinë e Arteve dhe në Shkollën e Multimedias “Marubi”.
Mirush Kabashi humbi jetën në moshën 75-vjeçare
Aktori Mirush Kabashi ( 17 prill 1948 – 5 dhjetor 2023 ) vuante prej disa kohësh nga një sëmundje. Fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë, ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma lëvizës. Ndër rolet e tij të larmishme, më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ne festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 Kabashi u shpall “Aktori me i mire” me rolin e Sadush Nezirit te komedia Hija e tjetrit e Ruzhdi Pulahes. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë, u vlerësua si nder aktorët më të mirë. Ne vitin 2002 fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist në Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokës në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit. Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës. Mirush Kabashi, i cili në fund të vitit 2014 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, më parë kishte titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Zef Deda humbi jetën në moshën 73-vjeçare
Aktori Zef Deda ( 27 korrik 1950-24 nëntor 2023), Mjeshtri i Madh i humorit, i cili ka spikatur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi, mbylli sytë në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh. I cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë, ai lindi në Shkodër, aty ku u shkollua. Deda filloi studimet në shkollën e lartë për gjuhë – letërsi, por nuk e mbaroi dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40-vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël, pasi me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrinte të realizonte qindra figura artistike. Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, artisti i mirënjohur u kthye në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit. Zef Deda gjithashtu ka interpretuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj. “Artisti i Merituar” i skenës shqiptare është babai i aktorit të mirënjohur dhe një “Mjeshtri të Madh” si Julian Deda, dhe muzikantit Mario Deda.
Sakine Sharofi humbi jetën në moshën 85-vjeçare
Priimabalerina legjendare e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Sakine Sharofi ( 4 mars 1938 – 21 gusht 2023) ishte një kërcimtare të disiplinuar me një temperament të shkëlqyer, që tërhiqte publikun artdashësh me figurat e saj. Sekine Sharofi ka hyrë në historinë e kërcimit klasik si soliste, si prima dona me një shkëlqim marramendës që nuk harrohet kurrë. E shkëlqyer dhe brilante në mënyrën se si interpretoi veprat më të rëndësishme të repertorit si: “Laurencia” nga Alexandër Krein, “Zhurale” nga Farid Jaruli, “Para stuhisë” nga Çesk Zadeja, “ Halili dhe Hajria” nga Tish Daija, “Lola” nga Marat Gaziev, “Delina” nga Çesk Zadeja, “Fadeta” nga Leo Delibes, “Cuca e maleve” nga Nikolla Zoraqi, “Shota dhe Azem Galica” nga Nikolla Zoraqi, “Petja dhe ujku” nga Sergei Prokofiev, “Kujdesi i kotë” nga Hertel, Rapsodia koreografike “Historia e një këngë” nga Nikolla Zoraqi, “Sheherezada” nga N. Rimskij Korsakov etj.
Naum Prifti humbi jetën në moshën 91-vjeçare
Personalitet i kulturës shqiptare në të dy kohët, që sprovoi krijimtarinë e tij në disa gjini të letërsisë, shkrimtari Naum Prifti është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I larguar nga Shqipëria prej vitit ‘92, Prifti, kontribuoi si ish-sekretar i shoqatës “Vatra” për 15 vjet, pas të vëllait Peterit. Ndonëse krijimtaria e tij si dramaturg u shënjua nga masa 10-vjeçare për riedukim pas dramës “Rrethimi i bardhë”, në ’64-ën, ai arriti të pasuronte repertorin e tij me një sërë veprash të suksesshme, deri edhe libretin e baletit “Bijtë e shqipes”. Motivet e tregimeve të Priftit ishin ndjellëse për mjeshtrit e kinematografisë, ai ka punuar për disa skenarë si “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në këmbë” apo “Fejesa e Blertës”. Me përrallat për fëmijë si “Pika e ujit” frymëzoi edhe për filmat e parë vizatimorë. Me një kontribut të vyer edhe në fushën e përkthimit, Prifti ka vijuar të shkruajë deri në vitet e fundit të jetës, pa e ndarë Shqipërinë nga subjektet e tij.
Musa Vyshka humbi jetën në moshën 81-vjeçare
Shkrimtari Musa Vyshka (28 qershor 1942 – 14 dhjetor 2023, i cili lindi në Elbasan, ka një jetë të veçantë artistike dhe profesionale. Shkrimtari u diplomua në degën “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë, në vitet 1960-1964. Që nga krijimi i Institutit Pedagogjik të Elbasanit Vyshka ishte pedagog i Letërsisë. Ai gjithashtu ka ushtruar profesionin e gazetarit. Në vitet 1981-1991 ishte Kryetar i Degës së Shkrimtarëve të Elbasanit dhe libretist në Teatrin “Skampa”. Më pas më 1992-ën u kthye në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, shef katedre i Letërsisë deri më 2002-shin, aty kur doli në pension. Për më tepër, ai ishte gjithashtu themelues i gazetës “Fjala e lirë”, anëtari Këshilli Bashkiak i Elbasanit më 1992-1996. Musa Vyshka më 2022-ën është nderuar me titullin “Nderi i qarkut të Elbasanit”.
Petro Kokushta humbi jetën në moshën 80-vjeçare
Piktori Petro Kokushta (13 shtator 1943 – 22 mars 2023) Ka marrë pjesë në pothuajse të gjitha ekspozitat më të rëndësishme lokale, jubilare dhe kombëtare, ku ka fituar edhe disa çmime honorifike. Gjithashtu është pjesëmarrës në disa ekspozita ndërkombëtare, kryesisht nëpër Bienalet e kohës së para viteve ’90. Sot krijon i lirë dhe ekspozon në veprimtari kolektive, veçanërisht në edicionet e grupimit artistik “Nëntori”. Krijimtaria e P. Kokushtës kap një diapazon të mirë të gjinive të pikturës si: kompozimi figurativ, portreti, peizazhi, etj. Shumë vepra të tij gjënden sot në fondet e GKA, nëpër galeri të rretheve si edhe në koleksione private dhe institucione shtetërore. Në pikëpamje të elementeve të formës artistike, P. Kokushta ka realizuar një pikturë realiste, por me kërkesa dhe prirje të përherëshme drejt një dekorativiteti të dukshëm koloristik, ku ngjyrat e paletës së tij i kanë sjellë pikturës që ka realizuar, një status modern dhe pothuaj jashtë normave të rrepta formale, akademike dhe skolastike.
Po ashtu bota e futbollit në Shqipëri pësoi humbje të mëdha, me disa nga emrat më të shquar.
Osman Mema humbi jetën në moshën 84-vjeçare
I vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” , duke lënë pas një trashëgimi të madhe për futbollin shqiptar. Në karrierën e tij si futbollist, Mema luajti për të dyja skuadrat e kryeqytetit, për Tiranën dhe për Partizanin dhe me të dyja fitoi titullin kampion.
Osman Mema ishte futbollisti më i dekoruar në vendin tonë, ndërsa arriti të fitojë plot tetë herë kampionatin kombëtar.
Emrir Lera humbi jetën në moshën 34-vjeçare
Ish-futbollisti i skuadrës së futsallit pësoi një aksident me makinë. Lera mbahet mend si një nga lojtarët më të talentuar të skuadrës shkodrane ku me ndeshjet që ka bërë dhe golat e shënuar, është kthyer shpesh herë në protagonist.
Agim Bulku humbi jeten në moshën 72-vjeçare
Ish-futbollisti Agim Bulku Ndërroi jetë pas një sëmundje të gjatë në pankreas. Ai rreshtohet përkrah talenteve, ndërsa I përkiste brezit të viteve 70-të dhe nën drejtimin e Zyber Konçit, mbetet faqja më pikante e krenarisë drejt një futbolli modern dhe përfaqësues vlerash. Këtu emri i Agim Bulkut, është me gërma të arta.
Odisea Çipa humbi jetën në moshën 58-vjeçare
Trajneri i ekipit të futbollit Butrinti, Odisea Çipa ka humbur jetën pas një arresti kardiak. Çipa mori drejtimin e Butrintit gjatë muajit gusht të vitit 2022. Gjatë karrierës së tij si futbollist, Çipa ka luajtur me skuadrën sarandiote, por edhe me ekipin e Korfuzit. Butrinti ndodhet aktualisht në kategorinë e dytë të futbollit në Shqipëri.
Kapllan Pepa humbi jetën në moshën 73-vjeçare
Ai ishte një nga sulmesit më të spikatur të viteve 1970, me numrin më të madh të golave në kampionat. Pepa ka pasur dhe një kontribut shumë të madh në rritjen e talenteve të qytetit, sidomos në vitet 2000 kur Lushnja ishte e Superiores. Përveç Traktorit të Lushnjës, Pepa ka luajtur dhe me Luftëtarin e Naftëtarin.
Veteran Topçiu humbi jetën në moshën 80-vjeçare
Problemet kardiake kanë shkaktuar vdekjen e Topçiut. Ai ka veshur fanellën e Skënderbeut për 12 vite rresht (1960-1972), duke dhënë një kontribut të çmuar për skuadrën korçare. Për merita të veçanta ai mban dy medalje të akorduara nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë.
Anesti Vito humbi jetën në moshën 52-vjeçare
I sh-futbollisti i Flamurtarit e filloi karrierën në vitin 1991 si kampion kur ishte vetëm 19 vjeç, dhe më pas mori një tjetër titull në sezonin 1999-2000, këtë herë si pjesë e Tiranës. Nga skuadra kryeqytetase u kthye të Flamurtari për periudhën e tretë të karrierës kuqezi, 2000–2004, kur luajti 68 ndeshje dhe shënoi 18 gola.
Festim Fetollari humbi jetën në moshën 54-vjeçare
Futbollisti e nisi karrierën si futbollist në ekipin e Korçës, me ekipin e para të rinvje të Skënderbeut. Pas këtij viti Fetollari u bashkua me ekipin e Skënderbeut deri në vitin 1999 për t’u rikthyer edhe njëherë tjeter tek Pogradeci, aty ku dhe mbylli karrierën e tij si futbollist.
Elda Bici/ TCH
Top Channel