Suad Keçi, një ndër futbollistët e parë kosovarë që ‘shpërtheu’ në Maqedoni: Te Bashkimi i kam kaluar vitet më të mira si futbollist

Suad Keçi, ish futbollisti i mirënjohur i Kosovës, ende i ka të freskëta kujtimet e kësaj fotografie të rrallë. E fotoja është e verës së vitit 1999, menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb.

Në atë kohë mesfushori luante për KF Bashkimi nga Kumanova. Bashkimi kishte udhëtuar për në Prishtinë për një ndeshje miqësore me KF Prishtina, shkruan gazetari Reshat Ibrahimi.

“Kjo foto më kthen prapa 20 vite. Emocionet nuk mund të përshkruhen me fjalë. Më kujtohet si sot pata biseduar me të ndjerin, referin e njohur Shinasi Berisha për një ndeshje miqësore mes Bashkimit dhe Prishtinës. Ishte viti 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës. Ndeshja pati përfunduar 1:1, ndërsa golin për Bashkimin e shënoi Adem Bakiu”, kujton Suad Keçi për gazetarin Reshat Ibrahimi.

“Normal që kanë qenë ndjenja mjaft të mëdha kur dihet se unë pata 10 vite më parë pata dal nga ai stadium. Ishte gëzim i papërshkruar, mirëpo tash në fanellën e Bashkimit”.

“Para ndeshjes patëm shkuar në vizitë në Prekaz te familja e shenjtë Jashari, familja që dha 59 anëtarë që ne ta gezojmë këtë liri që e kemi sot”, kujton Keçi.

“Bashkimi ishte klubi ku kam luajtur për gjashtë vite (1998-2004). Kam kaluar vitet më të mira si futbollist dhe shoqëri të cilën asnjëherë nuk do ta harrojë, si me bashkëlojtarë poashtu edhe me shoqerinë jashtë futbollit. Gjithashtu kam respekt shumë të madh për të dy kryetarët e klubit, Lutfi Hyda dhe Lutfi Çoti”, përfundon bisedën emocionuese Keçi.

Përbërja e KF Bashkimi: Nga e majta në të djathtë, në këmbë: Afrim Latifi, Burhan Kurtishi, Fuat Rexhepi, Selajdin Jerliu, Nijazi Sulejmani, Adem Bakiu, Ismet Zeqiri, Erkan Jusuf.
Nga e majta në të djathtë, ulur: Riza Junuzi, Skender Ismaili, Suad Keçi, Shaban Rexhep, Shenasi Ademi.

Scroll to Top