16 vite nga tragjedia e 9 janarit, çfarë deklaruan në prokurori ish-ministri Rama, Pandeli Majko, Dokle dhe drejtori i Policisë Kriminale
16 vite nga tragjedia e 9 janarit të vitit 2004 në gjirin e Vlorës ku u shënuan 21 persona të mbytur, ndërsa 8 të tjerë edhe pas 16 vitesh rezultojnë të zhdukur pasi trupat e tyre nuk u gjetën në det, ende vijon të mbetet mister dhe pa autorë arsyeja se pse policia dhe Flota Detare, vonoi në dhënien e ndihmës për të shpëtuar njerëzit që ndodheshin në gomone mes dallgëve të detit të trazuar, me qëllimin për të kaluar klandestinë në Itali nga disa trafikantë.
“Shqiptarja.com”, publikon dëshminë e ish-ministrit të Rendit Publik në atë kohë, Luan Rama, i cili ka pohuar në prokurori se policia ditën e ngjarjes ka neglizhuar situatën e rëndë, dhe për pasojë ka sjellë dhe një bilanc tragjik. Sipas ish-ministrit Rama, për tragjedinë e 9 janarit janë falsifikuar dhe dokumente, si urdhra të ministrisë, që bëjnë fjalë për firmosje në data të ndryshme. Ky urdhër rezulton të jetë i ministrit të asaj kohe. Sipas Ramës, ndihma është dhënë 2 orë e gjysmë me vonesë nga marrja e sinjalit të personave në gomone përmes një telefonate në ‘Top Channel’ se rrezikonin që gomonia të mbytej. Ndërkohë, një nga ushtarakët e Flotës Detare të asaj periudhe Bektash Petoshati, në dëshminë para hetuesve i hedh akuza ushtrisë për një vonesë 5 orëshe të daljes së anijeve ushtarake në det për të kërkuar gomonen.
Neglizhencën e policisë në prokurorinë e Vlorës, e ka treguar dhe vetë ish-Drejtori i Policisë Kriminale në atë kohë, Sokol Bizhga, i cili ka treguar përpara hetuesve se një variant ishte se tre trafikantë kishin ngarkuar drogë në gomone dhe kishin mbetur në det të hapur, ndërsa një tjetër version ishte se persona trafikantë bënin lojë me policinë dhe shumë pak kishin vlerësuar informacionin e dhënë në televizor, duke e neglizhuar disi ngjarjen. Në prokurori për këtë ngjarje janë pyetur dhe ish-zv/kryeministri i asaj kohe Namik Dokle dhe ish-ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, të cilët kanë treguar rreth operacionit të kërkim-shpëtimit.
Ish-ministri Luan Rama
Ish-ministri i asaj kohe Luan Rama i pyetur në prokurorinë e Vlorës lidhur me tragjedinë e 9 janarit 2004 ka treguar para prokurorëve se: “Policia ka marrë informacion për viktimat në det, nëpërmjet stacionit televiziv “Top Channel” dhe nga komisariati i policisë Lezhë, nëpërmjet nipit të një inspektori policie dhe nuk ka dhënë ndihmën e nevojshme, as në kohën e duhur dhe as në drejtimet e mundshme për të arritur tek gomonia e rrezikuar. Policia duhet t’i fillonte veprimet e veta që në orën 18:00 ndërkohë që veprimet e policisë kanë filluar pas orës 20:30. Drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë nënvleftësuar njoftimet për njerëzit që po mbyteshin në det, pra policia nuk e ka vlerësuar dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë viktimave. Urdhri i ish-ministrit të Rendit Publik datë 9 janar 2004, mund të jetë i falsifikuar sepse mban datën 9 janar 2004, kur nga juristi Fatmir Fagu është firmosur më 12 janar 2004, ciklim ky që është bërë para se të firmoset urdhri nga ministri i Rendit”
Ushtaraku i Flotës
Një nga ushtarakët e Flotës Detare të asaj periudhe Bektash Petoshati, është thirrur në prokurorinë e Vlorës, duke dhënë sqarime lidhur me tragjedinë e rëndë, që i mori jetën 28 personave. Përballë prokurorëve Petoshati ka rrëfyer: “Nuk janë zbatuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe nga kuadrot komandues të Bazës Ushtarake Detare Vlorë, konventa e Hamburgut e ratifikuar dhe nga shteti shqiptar. Forcat detare nuk kishin plane të gatshme, as qendrat, as nënqendrat, megjithëse duhet të kishte qenë në koordinim të plotë. Një nga pikat që ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e detyrës është mungesa e karburantit, problem tjetër me të cilin është abuzuar është gjendja e detit, ku ditën e ngjarjes deti ka qenë me forcë 3 ballë dhe jo 6 ballë siç është deklaruar nga komanda e Flotës Detare. Nuk është zbatuar marrëveshja e përbashkët midis dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe të Rendit për operacionet e përbashkëta në det. Nga komanda e Forcës Detare nuk është dhënë alarmi i menjëhershëm për ngjarjen që përfshihet në fazën operacionale që quhet “Faza e fatkeqësisë”. Anijet që kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit kanë humbur 5 orë vetëm nga mosdhënia në kohë të kushtrimit”
Majko e Namik Dokle
Për këtë ngjarje në prokurorinë e Vlorës janë marrë në pyetje dhe dy deputetët Namik Dokle, në atë periudhë si ish-zv/kryeministër dhe ish-Kryetari i Shtabit të Emergjencës dhe Pandeli Majko ish-ministër i Mbrojtjes. Në dëshminë e tyre të dy dëshmitarët VIP, kanë paraqitur përpara prokurorëve një sërë veprimesh, masash dhe reagimesh institucionale dhe një mobilizim në kohë të strukturave të larta, për të përballur situatën, duke u bazuar në veprimet e tyre në veprimet, mbledhjet,analizat, kontaktet, takimet, urdhrat, udhëzimet dhe komunikimet për situatën.
Bizhga: Policia neglizhoi
Në dëshminë e tij Sokol Bizhga ish-drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit tregon se sapo ka mbërritur në zyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë, është njohur me situatën e rëndë dhe se deri në ato momente ngjarja ishte e paqartë. “Një variant ishte se tre trafikantë kishin ngarkuar drogë në gomone dhe kishin mbetur në det të hapur, ndërsa një tjetër version ishte se persona trafikantë bënin lojë me policinë dhe shumë pak kishin vlerësuar informacionin e dhënë në televizor, duke e neglizhuar disi ngjarjen. I ndodhur në këtë situatë së bashku me shefin e rendit Ardi Veliu dhe komandantin e Delta-Forcës, jemi nisur për në Palasë. Kur dolëm në rrugën e asfaltuar, në një afërsi prej 300 metra larg detit kemi gjetur një makinë të braktisur dhe pranë saj, disa bidonë vaji. Në makinë nuk kishte njerëz, dhe unë urdhërova të thyej xhami dhe të verifikohej dokumentacioni, ndërkohë që vijuam kërkimet në breg të detit”, -tregon Sokol Bizhga në prokurori.
Pretendimet e familjarëve
Në prokurori janë marrë në pyetje dhe dhjetëra familjarë të viktimave dhe personave që mundën të mbijetojnë si dhe këta të fundit janë ftuar për të dëshmuar. Në dëshminë e tyre ka pretendime për strukturat shtetërore, lidhur kjo më tepër me mënyrën sesi arritën të veprojnë personat që organizuan kalimin e klandestinëve në Itali pa u pikasur nga këto struktura. Madje prej tyre supozohet se mund të ketë dhe bashkëpunim midis tyre, por këto pretendime nisen vetëm nga premtimet e ndërmjetësve të trafikut, për një kalim të qetë e pa probleme në Itali.
Mirëpo sipas prokurorisë së Vlorës e cila në datën 14 shtator 2011 ka vendosur të pushojë hetimet për këtë ngjarje, thuhet se nga hetimi nuk paraqitet ndonjë rrethanë apo fakt konkret që krijon dyshime për strukturat shtetërore, përfshirë rendin dhe mbrojtjen. Ka pretendime për mosdhënie të ndihmës apo për mosreagimin në kohë nga ana e strukturave detare dhe policisë, por sërish sipas prokurorisë këto pretendime bazohen vetëm në kohëzgjatjen e gjetjes së gomones dhe pasojën.
Justifikimi i ushtarakëve
Në dëshminë që kanë dhënë disa prej specialistëve të Flotës Detare, ata kanë pohuar se nuk kanë arritur të zbulojnë gomonen për një sërë shkaqesh, duke u sjellë vërdallë në det. Sipas tyre arsyet se pse ka dështuar operacioni i flotës për gjetjen e gomones me klandestinë, kanë qenë: Paaftësia e gomones për t’u shfaqur, pasi drejtuesit e këtij mjeti lundrues për të mos u zbuluar nga policia kufitare shqiptare apo italiane, gjatë transportimit të njerëzve, kanë hequr shiritat fluoreshente në bordin e gomones. Nuk janë përdorur fishekzjarrë ose mënyra të tjera të improvizuara sinjalizimi, distanca e vrojtimit shumë e kufizuar pasi për shkak të rrethanave të motit në datën e ngjarjes, distanca e vrojtimit ka qenë jo më shumë se 20 metra për shkak të errësirës, shiut dhe detit të egërsuar ku dallgët atë natë kanë qenë 4 deri në 5 metra të larta. Sipas ushtarakëve të Flotës Detare që u pyetën në prokurori në rastet e operacioneve të kërkim-shpëtimit të aplikuara sipas sistemit SAR, teorikisht kur distance e vrojtimit është 925 metra, probabiliteti i zbulimit është 20 për qind. Në rastin konkret sipas tyre vrojtimi ka qenë 20 metra dhe probabiliteti për të zbuluar gomonen në këto kushte ishte 40 herë më i vogël.
Mbrëmjen e 9 janarit 2004 në bordin e gomones së nisur nga porti i Vlorës drejt Italisë, ishin vendosur 36 refugjatë shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë. Çdo emigrant pagoi 1500 euro për udhëtimin me gomonen e cila u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 21 persona humbën jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës dhe Lezhës, të moshës nga 15 në 33 vjeç. Ndërsa 8 prej tyre ranë në det dhe nuk u gjetën më. Të mbijetuarit e asaj ngjarje treguan më pas së kërkuan ndihmë e cila ju mbërriti shumë vonë.
i shpëtuar ishte edhe Elton Tafli, një nga trafikantët, i dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Vlorës, dhe i ekstraduar 13 vite pas ngjarjes nga Italia në Shqipëri. Ai akuzohet për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin.
/Shqiptarja.com