Një ngjarje e vërtetë në Pejë në vitet e 80’ta: Karrocieri shqiptar, polici shqiptar dhe polici serb

E përjetuar në rininë time të hershme – Nga Muharrem Blakaj

Në Pejë ishte ditë tregu. Pasi nuk kishte autobus, u nisa këmbë, deri në Fund-Banjë, aty ku vinte autobusi nga Istogu. Dita ishte e vranët, pas shiut që kishte rënë gjatë gjithë natës dhe, ecja në asfalt kishte lezet. Kur mbërrina në stacion, mora vesh se një autobus sa kishte shkuar, kurse tjetri vinte pas një ore. Megjithatë, vazhdova pritjen. Ndërkohë, drejtë Pejës vinte një karrocë kuajsh. E tërhiqnin dy kuaj të kuq, të mëdhenj, të mbajtur mirë dhe të stolisur me tufë e cingla-mingla tjera. I dhashë shenjë karrocierit të me merrte edhe mua, pranoi.

Bërr, i ndali kuajt. Derisa bëra pagesën, bashkudhëtarët në karrocë më bënë vend. U ula dhe, natyrisht, krisi muhabeti. Aty mora vesh: Karrocieri dhe shumica e udhëtarëve vinin nga Skenderaj (serbisht Serbica), por vendasit vazhdonin ta quanin qytezën e tyre me emrin e vjetër: Skenderaj. As që e kisha hetuar se kishim hy në qytet, kur karroca ndaloj. Një milic komunikacioni, asi me mëngë të bardha në uniformë, e kishte ndaluar.

Një milic tjetër, rreth njëzet metra tutje, rrinte në trotuar dhe vështronte. Pasi e përshëndeti karrocierin, milici i tha se kjo rrugë, që shpie të SUP-i dhe Gjykata, për karroca kuajsh është ndaluar për qarkullim. Prandaj, të lutëm, merr rrugën alternative drejtë stacionit të trenit, dhe nga ana tjetër mund të shkosh deri në cakun ku keni punë. Karrocieri, një burrë rreth të dyzetave, i veshur trash, me plis francez dhe kamxhik në dorë, pa pritur ngriti zërin:

– Kush hamami je ti që ma pret udhën, ë? Lësho rrugën, menjëherë! – dhe fap, me kamxhik e goditi vitheve njërin kalë, i cili u hodh përpjetë dhe u nis me turr. Milici, reagoi shpejt, e kapi kalin nga freri dhe e mbajti. Kuajt ndaluan, kurse milici iu drejtua për të dytën herë, tani më zë lutës:

– Me fal o shoq, por, kam urdhër prej komandantit që asnjë karrocë kuajsh mos ta lejojmë të hyn në qytet nga kjo rrugë, prandaj, të lutëm, merr këtë rrugën tjetër dhe shko aty ku e ke ndërmend!

– Unë shkoj kah t’du vetë! Lësho frerin e kalit se po e nxora këtë stupc, ta q… nanën, gruan e motrën… e kand ke t’gjallë! – dhe prapë, me kamxhik i ra kalit tjetër, i cili u hodh në hap. Milici e tërhoqi këtë tjetrin që vazhdonte ta mbante nga freri dhe mundimshëm, prapë i ndaloj kuajt.

– Merr vesh o shoq: Nuk guxoj me të leju me shku andej, kam urdhër nga komandanti, prandaj, edhe njëherë, shqip dhe si vëllain po të luti: grahi kuajt këndej, se nuk asht larg, menjëherë, të rruga e parë merr djathtas dhe…

– More ti, qen bir qeni, s’po merrke vesh? – dhe me kamxhik u përpoq ta godiste, por, pasi milici ishte larg, në vend të tij e goditi kalin, duke sharë:- Lësho rrugën ta q… p… e s’amës, po kokrra e mutit që koke! – dhe prapë i ra kalit vitheve. Milici, me gjithë fuqi dhe kujdesshëm nga ngritja e kalit në këmbët e mbrama, nëpër lloç, kësaj radhe mëzi i ndali kuajt.

Të gjithë bashkudhëtarët zbritëm nga karroca. Mbeti vetëm karrocieri i zemëruar sa flakë i qitshin sytë, duke nxjerrë nga goja sharjet nga më të ndytat.

Milici tjetër që deri atëherë vetëm kishte shikuar nga distanca u tund nga vendi. Ngadalë, pa fol asnjë fjalë i doli në anën tjetër karrocierit duke bërtit kërcënueshëm:

– Zašto ne slijedite naredbu, pička ti materina… idi tamo bre jebenti majku, ženu u sestru!…

– Evo bre čoveče, polako, idemo sada, polako, polako!…

(Pse nuk i zbaton urdhrat o p*** i nënës… shko atje, q*** nënën, gruan dhe motrën!…

– Hajde burrë, merre qetë, ikim tani, merre qetë, merre qetë…) ia kthej karrocieri milicit serb dhe vazhdoj sharjet në shqip drejtë milicit shqiptarë: – E ty, tash që po ta njoh atë fytyrë muti, kam me ta q… nanë, gru e motër, veç mos t’nzafsha!

– Jo, jo! – ia kthej milici shqiptarë: – nuk po e qojmë aq gjatë, po e kryejmë qetash! – dhe nga brezi hoqi shkopin e gomës, e kapi nga teshat dhe e tërhoqi me forcë. Karrocieri me ekuilibër të humbur, kërcej në tokë, kurse milici, jo që nuk e lëshoi, por me sa fuqi që pati e goditi, fillimisht në krye, duke i thënë:

– Të luta shqip, së vëllai vëllait e ma shave nënën, gruan e motrën, kurse ky tjetri milic, kur të shau serbisht i zbute fjalët bre qen i pabesë… – dhe vërshëllima e shkopit e goditjet nuk kishin të ndalur. I zhyer, i zhgërryer e i vyer për hu (siç kishte thënë dikur Noli) karrocieri përpëlitej nëpër lloç si thiu n’thark nga të rënat e rrepta të milicit. Askush nuk ndërhyri për ti ardhur në ndihmë karrocierit trim me shqiptarë e frikacak me serbë!

Kur milicit ju ba boll, karrocieri, mori plisin nga lloçi, e vuri n’krye, hipi n’karrocë, me fytyrën e përlyer lloç e gjak, mori udhën andej nga i thanë milicët! Mua, por edhe gjithë atyre skenderajasve që e pamë rrëmujën, jo që nuk ndjemë dhembje për karrocierin «trim me vëlla» por, na erdhi turp me sjelljet e tij para një milici shka!

Muharrem Blakaj, është një shkrimtar nga Kosova i cilësuar mjeshtër i tregimit. Ai është autor i shumë librave dhe është sprovuar me sukses në shumë gjini letrare.

Scroll to Top