Anton Çeta: Me fal gjakun është burrni, me rujt gjakun e falun, asht’ ma zor se sa me fal
Nga Eduard Sopaj
Pasi serbët kishin filluar të vrisnin shqiptarët në Kosovë në vitet e 90-ta, ata njëkohësisht nuk pranonin që vrasjet po i bënin vetë, madje filluan të fajësojnë shqiptarët që kinse po vrisnin njëri-tjetrin për hakmarrje, pasi sipas tyre në kulturën shqiptare, marrja e gjakut është traditë. Ata filluan me këtë lloj politike dhe i armiqësuan shqiptarët mes vete, duke i shtyrë të hakmerreshin ndaj njëri-tjetrit, pasi kjo u konvenonte serbëve që shqiptarët të vriteshin mes tyre, dhe të justifikonin vrasjet e tyre duke ua lënë fajin shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, shqiptarët të paraqiteshin para botës me një formë sa më të keqe, kinse janë njerëz primitivë që ende vrasin njëri-tjetrin. Kultura e gjakmarrjes te shqiptarët thuhet se ka ardhur nga të huajt që ua kanë sjellë shqiptarëve kur i pushtuan. Edhe Kanuni i shkruar nga Lek Dukagjini flet për gjakmarrje dhe se ai i nxiste shqiptarët të merrnin gjak. Sipas ligjeve të shkruara në kanun, shqiptarët për një kohë kishin funksionar sipas atyre rregullave dhe kjo u kishte sjellë shumë dëme, si gjakmarrjen, shtypjen e grave e të tjera.
Shqiptarët filluan t’ia falnin gjakun njëri-tjetrit dhe të ndalonin gjakmarrjen, pasi Kosova ishte në kohë të vështira dhe ishte koha e duhur për t’u bashkuar dhe për t’i ndaluar serbët që të përfitonin nga këto konflikte për përfitimet e tyre. Prandaj, do të ishte në kohën e duhur dhe vendim i mirë që dikush të merrte iniciativën për të filluar misionin e pajtimit të gjaqeve, dhe pikërisht këtë e bëri Rinia e Kosovës, e cila filloi këtë mision, në të cilin iu bashkua Anton Çeta dhe Zekiria Cana. Fillimi i kësaj lëvizje të pajtimit të gjaqeve, u bë një lëvizje mbarëkombëtare. Filluan për herë të parë në shkurt të vitit 1990 në Lumbardhë të Deçanit me pajtimin e gjaqeve në emër të lirisë e demokracisë dhe në emër të popullit për të falur gjakun. Kjo, natyrisht, nuk ishte e lehtë, pasi në kulturën shqiptare bëhej si një lloj detyrimi ndaj familjes për të marrë hakun ndaj atij që ju kishte vrarë anëtarin e familjes, prandaj që dikush të falte dikë që i’a kishte vrarë dikë në familje ishte shumë e vështirë. Jo rastësisht, në mesin e shumë fjalëve madhështore që tha Anton Çeta në tubimet për faljen e gjakut ishte edhe kjo: Me fal gjakun është burrni, me rujt gjakun e falun, ashtë ma zor se sa me fal.
Numri i faljeve të gjakut gjatë kësaj kohe ishte mjaft i madh, pasi Anton Çetta së bashku me grupin e tij kishin filluar të shkonin derë më derë për të biseduar me familjarët që kishin ndonjë anëtarë të vrarë, për të falur gjakun dhe se në tubimet e mbajtura në shumë vende, numri i njerëzve që shkonin ishte shumë i madh. Në një nga tubimet e mbajtura në Bubavec të Malishevës kishin shkuar rreth 100.000 njerëz, për të parë duke u falur gjaku. Ajo që ishte e rëndësishme ishte se ai mohoi propagandën serbe që u përhap, sepse ata thonin se shqiptarët janë ekstremistë islamikë dhe se nuk i duan as të krishterët shqiptarë dhe se vrasin njëri-tjetrin për arsye fetare.
Anton Çeta dëshmonte të kundërtën te populli shqiptar. Ai i takonte fesë katolike, dhe se numri i shqiptarëve të besimit islam ishte më i madh, andaj ai shkonte te shqiptarët myslimanë dhe se kjo nuk përbënte kurrë problem për të, pasi për shqiptarët kombi ishte më i rëndësishëm sesa feja. Në të njëjtin mision për pajtimin e gjaqeve iu bashkuan edhe Hoxhallarët dhe Priftërinjtë, ku nuk kishte rëndësi feja në këtë aspekt, por misioni për të mirën e shqiptarëve. Kjo lëvizje e pajtimit të gjakut rezulton në mbi 1200 gjaqe të falura.