77 vjet nga aneksimi i dhunshëm i Kosovës nga Serbia – Kuvendi i Prizrenit dhe delegatët shqiptarë që votuan pro! TURPPP
Nga data 8 korrik deri me 10 korrik të vitit 1945 u mbajt Kuvendi Krahinor i Prizrenit ku u legjitimua aneksimi i Kosovës nga Serbia.
Ky kuvend, ishte vazhdimësia e përpjekjeve paraprake e qarqeve serbe për ta bërë edhe zyrtarisht Kosovën pjesë integrale të Serbisë.
Me të përfunduar Lufta e Dytë Botërore, Serbia duke e shfrytëzuar situatën e favorshme që sollën rrethanat e fundit të luftë së madhe, filloi punën për rianeksimin e Kosovës.
Në këto rrethana, kjo çështje fillimisht u ngritë në mbledhjen e KQ të Partisë Komuniste Jugosllave, ku aty doli propozimi që, meqë rrethanat ndërkombëtare nuk lejojnë që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë dhe Shqipëria të bëhet pjesë e Federatës Jugosllave, atëherë Kosova t’i bashkohet Serbisë në kuadrin e Jugosllavisë.
Nga dokumentacioni historik i procesverbaleve që dalin nga kuvendet antifashiste të çlirimit të Serbisë në Beograd, rezulton që bashkimi i Kosovës me Serbinë u bë në mënyrë arbitrare, por formalisht u desh një argument i një deklarimi të popullsisë së Kosovës.
Në funksion të këtij qëllimi, u organizua Kuvendi Krahinor i Prizrenit, ku morën pjesë 137 delegatë të cilët cilësoheshin si përfaqësues të Kosovës, por vetëm 32 nga ta ishin shqiptarë. Nën presionin e autoriteteve serbe, me votat e delegatëve, u miratua rezoluta e cila e nxjerr dokumentin e parë që e legjitimon aneksimin e Kosovës nga Serbia.
Disa nga delegatët përkrahës ishin Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Ali Shukrija, Asllan Fazlia, Zekeria Rexha, Mehmet Hoxha e të tjerë.
Në tekstin e kësaj rezolute të imponuar thuhet: Kuvendi Popullor Krahinor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit deklaron, unanimisht, se popullsia e kësaj krahine, si të gjithë popujt e Jugosllavisë, se nuk e kanë pranuar copëtimin e krahinës së vet që e kanë bërë okupatorët (Italia dhe Gjermania), as copëtimin e Jugosllavisë, dhe shfaqë dëshirën e tërë popullsisë së krahinës që t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj.
Thuhet se në këtë kuvend pati shumë pak diskutime. Ata të pakët që ngritën zërin ndaj këtij imponimi, më vonë u përndoqën dhe u persekutuar nga shërbimi i fshehtë serb.
Më 23 korrik kjo rezolutë u aprovua nga Kuvendi Federativ i Jugosllavisë, ndërsa me 1 shtator 1945 u miratua edhe në Kuvendin e Serbisë.
Pas këtyre akteve, problemi i aneksimit të Kosovës u bë çështje e mbyllur./Albanianpost.com