’21 janari’ – Bamir Topi: Prokuroria u pengua, mjekët mashtruan. Ja këshilla që i dhashë Bashës
Ish-presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24 ka zbuluar ato që mund të konsiderohen si “të pathënat” e ngjarjes së rëndë të 21 janarit të para 13 viteve.
Topi zbuloi për gazetaren Nisida Tufa se ai ka pasur komunikime me ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, ndërsa u shpreh se këtij të fundit i ka dhënë edhe një këshillë.
“Secili e di mirë detyrën e tij. Kjo është një çështje e rëndë. Nuk e di si e ke raportin me letrat i thashë, por kjo situatë do të ketë jehonë për shumë vite”, u shpreh Topi në lidhje me takimin me Bashën.
Po ashtu ai theksoi se Prokuroria e asaj kohe është penguar në lidhje me hetimet për këtë rast dhe se brenda shtetit u krijuan kushtet e një puçi shteti.
Topi: Unë kam dënuar dhunën, kam bërë thirrje për qetësi dhe për drejtësi. Natyrisht e di, jam i qartë, Berishës nuk i ka pëlqyer kur unë flas për ngjarjen në bulevard sepse vrasjet ndodhën aty. Vrasjet ndodhën kur protesta praktikisht kishte mbaruar.
Ju telefonuar ministrin e Brendshëm Basha në atë kohë dhe nuk u përgjigj, për t’i thënë çfarë?
Topi: Për ti thënë shqetësimin tim si kreu i shtetit dhe për tu interesuar. Komunikimet me të më pas janë konfidenciale, por thirrja ka qenë për vetëpërmbajtje dhe për të eliminuar episodet e dhunës që mund të vazhdonte.
Si e kuptuat që Berisha kishte vërejtje për qëndrimin tuaj?
Topi: Eksperienca ime politike dhe ajo e komunikimit e njohjes së fizionomisë politike të Berishës, më jepnin mundësinë të gjykoja si e kishte perceptuar ai deklaratën time. Prokurorisë i dhashë mbështetjen 100%, kishte ndodhur një tragjedi në bulevard dhe njerëz të pafajshëm u vranë dhe të tjerë u plagosën. Përmasat e tragjedisë mund të ishin shumë më të mëdha.
Çfarë i thatë Ina Ramës në ato momente?
Topi: Prokuroria u pengua për të marrë provat. Për këtë janë dëshmitarë shumë njerëz që kanë punuar në prokurori asokohe. Prokuroria u fut në një konflikt të fortë institucional, nuk u zbatuan urdhrat e ndalimit të prokurores.
A u reflektuan këto te takimi që patët me Bashën?
Topi: Zoti Basha ishte ministër i Brendshëm dhe kërkoi të takoheshim. Zhvilluam një bisedë lidhur me atë ngërç.
Si ishte Basha, i trembur, i shqetësuar?
Topi: Nuk besoj të kishte njeri të pashqetësuar në ato momente. I kam dhënë gjithë besimin tim prokurorisë, këtë ia bëra të qartë. Palët politike u treguan të pabesa ndaj njerëzve. Tek e fundit politika e ka shfrytëzuar situatën e 21 janarit.
Ju Bashës i dhatë një këshillë pas takimit apo jo?
Topi: I dhashë një këshillë që mund edhe të mos ia jepja. Secili e di mirë detyrën e tij. Kjo është një çështje e rëndë. Nuk e di si e ke raportin me letrat i thashë, por kjo situatë do të ketë jehonë për shumë vite. Edhe sot është diçka e pagjykuar drejt.
Ju thoni se ka pasur porosi të Berishës për mjekët e Spitalit Ushtarak, ku bazoheni për këto?
Topi :Unë kam thënë se ajo që dëshmuan mjekët ishte qartazi një mashtrim i madh dhe kjo u vërtetua më pas nga urdhri i mjekut. Ajo që doli vërtetoi se goditjet nuk ishin brenda turmës si e reklamonte Berisha.
Ishit kreu i shtetit dhe u informuat se ishin vendosur kamera pranë banesës tuaj. Megjithatë thatë se nuk u trembët pasi keni një perceptim për Berishën që mundohet të trembë por nuk i shkon deri në fund.
Topi: Asnjëherë nuk e kam ndjerë veten të frikësuar. Kur kam kaluar situata në vitin ’97, ajo situatë nuk përbentë problem për mua. Problemi ishte se brenda shtetit u krijuan kushtet e një puçi shteti.
Ju shkruani se iu është dashur të dilnit nga banesa për dy orë dhe kërkuat vetëm shoferin për një takim shoqëror në Linzë, kush ishin këta persona?
Topi: Ishin pjesë e grupit parlamentar. Do ishte një paradoks të lëvizje me punonjësit e gardës ndërkohë që këta të fundit rrethonin me urdhër të kryeministrit.
Ka pasur një përpjekje të jashtëzakonshme të prokurorëve për t’i shkuar drejtësisë deri në fund. Linja e tyre nuk ka qenë e njëjta me linjën e gjykatës. U kërkua nga prokuroria e shkallës së parë, u rrëzua nga gjykata. U apelua në Apel nga prokurorët që e kanë mbrojtur dhe në gjykatën e Apelit janë ndarë 2 me 1.