12 Gusht 1912, Kryengritja e Shkupit, që rezultoi në krijimin e një gjysmë Shqipërie
Daut Dauti
Në ditën e sotme, 12 gusht 1912, kryengritësit shqiptarë invaduan Shkupin për t’i bërë presion qeverisë otomane që t’i pranonte kërkesat e tyre. Ky nuk ishte çlirim i Shkupit, siç paraqitet sot. Ushtria otomane, duke mos dashur të konfrontohej me shqiptarët, nuk doli fare nga kazermat e Shkupit, Kumanovës dhe tjerave përreth kurse kryengritësit nuk vendosën pushtet për ta zëvendësuar atë otoman.
Por, kryengritësit, në krye me Hasan Prishtinën, përkundër mosmarrëveshjeve të brendshme, ia dolën që me ‘çlirimin’ e Shkupit ta detyronin Stambollin që të fillonin negociatat për një Shqipëri autonome. Ky sukses i shqiptarëve i alarmoi vendet ballkanike (Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë) që të nxitonin me planet e tyre kundër autonomisë apo pavarësisë së Shqipërisë. Planet e këtyre shteteve ishin që të mos kishte Shqipëri, territorin e së cilës do ta ndanin mes veti.
Prandaj, vetëm pas tre muajve filloi lufta ballkanike nga e cila doli një gjysmë Shqipëri e pavarur kurse gjysma e territoreve mbeti nën okupimin e shteteve të përmendura. Shqiptarët vuajtën një masakër të paparë gjenocidiale.
Sot, pas 112 viteve, gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Por, aspirata nacionaliste për shtetin shqiptar nuk është përmbushur kurse Serbia, sikur atëherë, edhe sot i kërcënon shqiptarët.