100 vjet më parë: Grekët morën Selanikun, malazezët rrethuan Shkodrën
26 tetori në histori – Mbreti George III i Britanisë shkon para Parlamentit dhe deklaron se 13 kolonitë amerikane janë rebeluar
1775 – Mbreti George III i Britanisë shkon para Parlamentit dhe deklaron se 13 kolonitë amerikane janë rebeluar. Pastaj autorizon një përgjigje ushtarake për të shuar Revolucionin Amerikan; Britania dërgoi trupa tokësore dhe përdori flotën e saj të fuqishme për bllokadë detare. Në Amerikë, George Washingtoni bëhet komandanti i forcave amerikane. Në Filadelfia, Kongresi ose përfaqësuesit e kongreseve te 13 kolonive të mbledhur në Kongres të përbashkët – duke thënë se sundimi i George III ishte tiranik dhe për këtë arsye i paligjshëm – shpalli pavarësinë, duke themeluar një vend të ri, më 4 korrik 1776, kur Thomas Jefferson shkroi dhe Kongresi miratoi njëzëri Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
1776 – Benjamin Franklin niset nga Amerika për në Francë në mision për të kërkuar mbështetjen franceze për Revolucionin Amerikan. Dhe jo pa qëllim për këtë detyrë u ngarkua Franklini. Emri i tij njihej prej vitesh në Berlin, Londër, Paris e gjetkë. Franklin ishte autor, botues, teoricien politik, politikan, shkencëtar, muzikant, shpikës, satirist, aktivist civil, burrë shteti dhe diplomat. Franklin kishte fituar titullin e “amerikani i parë” për fushatën e tij të hershme këmbëngulëse për bashkimin e kolonive; Benjamin Franklin është cilësur si mishërimi i të qenit amerikan – tek ai bashkoheshin vlerat praktike, puna e palodhur, dëshira për arsim e dije, shpirti i komunitetit, ndjenja vetë-qeverisëse dhe e kundërshtimit ndaj autoritarizmit politik ose fetar. Djali i tij, William Franklin, luftoi në anën britanike; pas revolucionit, ai u kap, u burgos, u lirua dhe emigroi në Angli.
1912 – Lufta e Parë Ballkanike: Qyteti i Selanikut merret nga trupat greke, duke iu bashkuar Greqisë. Në të njëjtën ditë, trupat serbe pushtojnë Shkupin, ndërsa trupat malazeze rrethojnë Shkodrën – Garnizoni osman i qytetit komandohej nga Hasan Riza Beu, me 14-mijë trupa, i përforcuar tashmë nga një divizion rezervë prej 10-mijë ushtarësh, i ardhur nga Elbasani, nën komandën e Esad Pashë Toptanit. Fama jo e mirë që kishte fituar se komandant i xhandërmarisë së vilajetit të Janinës; ambicjet dhe ndikimi i tij mbi një pjesë të caktuar të popullatës – shto edhe ankthin e administratës turke për të mos shkaktuar armiq të tjerë – i siguruan Esad Pashës postin e nën komandantit të garnizonit të Shkodrës. Rrethimi zgjati 7 muaj, deri më 23 prill 1913, kur Hasan Riza Pasha, u qëllua për vdekje nga Osman Bali and Mehmet Kavaja, dy shqiptare në shërbim të Esad Pashës.(The Albanians.., Vickers, 1999). Kështu, trupat malazeze hynë në qyetet, kryen vrasje, djegje e shkatërrime – por nuk qëndruan as edhe një muaj, pasi me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londer, Shkodra ishte pjesë e Shqipërisë, pavarësia e së cilës vëzhgohej tani nga një komision ndërkombetar; ndërsa Esad Pasha falenderoi trupat malazeze për çlirimin nga Turqia; dhe ofroi t’i bashkohej aleancës së Luftën Ballkanike, duke marë premtimet malazeze për përkrahjen e ambicjeve të tij për t’u bërë mbret i një Shqipërie qoftë edhe brenda kufijve më të ngushtë sesa ato që kishin përcaktuar Fuqitë e mëdha (The Albanians.., Jacques, 1995). Dhe pas 100 vjetësh, Shkodra në nënvetëdije nuk harron se kush e mbrojti; përmendorja e Hasan Riza Pashës ngrihet në shesh të qytetit, ndërsa një kolegj shkodran mban emrin e tij.