10 vite nga vdekja e të papërsëritshmes, Vaçe Zelës
Vaçe Zela (7 prill 1939, Lushnjë – 6 shkurt 2014, Bazel) ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.
Ajo e filloi karrierën në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
Ajo është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.“
Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. / KultPlus.com